E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Inxhinieri që krijon hitet që po çmendin klubet e rrjetet sociale. ARNON, producenti shqiptar që po ‘pushton’ muzikën

Nga një eksperiment i bërë në dhomën e tij, në një nga emrat më të komentuar të muzikës shqiptare. ARNON, producenti i njohur nga Burreli, rrëfen në “ABC e Mëngjesit” historinë e pazakontë të suksesit të tij, një rrugëtim që nisi krejt rastësisht dhe sot po e çon në majat e klasifikimeve muzikore.

Edhe pse studioi për inxhinieri informatike, muzika u kthye në pasionin që ndryshoi gjithçka. Vetë ARNON tregon se nuk e kishte menduar kurrë se do të merrej profesionalisht me muzikë, por gjithçka lindi spontanisht, siç shprehet ai.

Kënga “4U”, e krijuar në janar të vitit 2017, ishte projekti që i hapi dyert e suksesit. Ajo nisi vetëm si një eksperiment në laptopin e tij personal dhe u realizua pa studio profesionale, duke e bërë ARNON të njihej edhe si “bedroom producer”.

Producenti tregon se gjithçka e ka mësuar vetë, në mënyrë autodidakte. Fillimisht duke eksperimentuar me programet muzikore dhe më pas duke parë video në YouTube, ai ndërtoi hap pas hapi identitetin e tij artistik.

Një nga bashkëpunimet më të suksesshme ka qenë ai me këngëtarin Sardi Strugaj. Dyshja ka sjellë projekte që janë kthyer menjëherë në hite dhe tashmë po punojnë për këngë të reja që premtojnë të dominojnë verën dhe klubet shqiptare.

ARNON rrëfen gjithashtu se në fillimet e tij nuk pranonte të dilte publikisht apo të tregonte fytyrën, pasi ishte tepër i turpshëm. Por tregu muzikor dhe suksesi e shtynë të ishte më pranë publikut dhe të përkushtohej 100% ndaj muzikës.

Projekti më i ri muzikor, “Telefoni”, në bashkëpunim me Sardi Strugajn, është publikuar fillimisht në Spotify dhe më pas edhe në YouTube, ndërsa në TikTok kënga po merr reagime shumë pozitive dhe duket se është në rrugën e një tjetër suksesi viral.

Pas bashkëpunimeve të rëndësishme, mes tyre edhe me Rinën e Ylli Limanit, ARNON po konsiderohet sot si një nga producentët më premtues shqiptarë, me hite që numërojnë miliona klikime dhe dëgjohen në çdo lokal e club të vendit.

InfoShqip