E premte, 15 Maj 2026
Lajme

Irani, Botërori “peng” i vizave/ Konfirmoi pjesëmarrjen në Kupën e Botës, por pret “vulën” e SHBA

Në shtëpinë e tyre I bënë të gjitha “adetet”, përfshirë edhe një ceremoni përcjelljeje në Teheran, ku morën pjesë dhjetra mijëra tifozë dhe nuk munguan notat e nacionale e politike. Por, për “dasmën” duhet pritur ende.

Irani zyrtarizoi se do të jetë në finalet e “Botërorit 2026”, por tani topi është në fushën e armiqve të mëdhenj, njëkohësisht një prej organizatorëve të mëdhenj të turneut, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Do të kemi një takim vendimtar me FIFA-n. Ata duhet të na japin garanci, sepse çështja e vizave ende nuk është zgjidhur. Nuk kemi marrë asnjë informacion nga pala. Ende nuk janë lëshuar viza”, ka thënë presidenti i federatës iraniane Mehdi Tazh, për agjensinë zyrtare të lajmeve në Teheran “IRNA”.

Por edhe pas takimit me FIFA, që ka rolin e garantorit, rruga do të jetë ende e gjatë.

Sipas ligjeve në fuqi amerikane, përpara se të pajisen me vizë të gjithë pjestarët e delegacionit iranian që do të marrin pjesë e finalet e Kupës së Botës duhet të dorëzojnë gjurmët e gishtave dhe të plotësojnë formularët e Departamentit të Shtetit.

Por që nga kriza e vitit 1980 në Iran nuk ka një ambasadë amerikane dhe si rregull, futbollistët, stafi teknik dhe zyrtarët e federatës duhet t’i bëjnë këto prtaktita në Ankara të Turqisë. Por me ndihëm e FIFA, federata iraniane shpreson t’i kryejë ato në Antalia, ku përfaqësuesja do të qëndrojë e grumbulluar deri në pajisjen me vizat e nevojshme për të shkelur në tokën amerikane.

Vetëm më pas, sipas programit të zbuluar, përfaqësuesja e Iranit do të udhëtojë drejt Tucson Arizona, ku do të ketë edhe kampin bazë gjatë finaleve të “Botërorit 2026”.

Irani do të luajë dy ndeshje miqësore përpara nisjes së finaleve të Kupës së Botës, ndërsa sfidat në këtë turne do t’i luajë në Grupin G, të gjitha në tokën amerikane.

Sipas kalendarit, ndeshja e parë e kombëtares iraniane do të jetë më 16 qershor kundër Zelandës së Re në Los Angeles, e dyta po në “Qytetin e Ëngjëjve” më 21 qershor kundër Belgjikës dhe e fundit në grup më 27 qershor kundër Egjiptit në Siatëll.

Pra agjenda është e qartë, por në “kohë lufte, asgjë nuk është e sigurtë dhe gjithçka mund të ndodhë”.

InfoShqip