Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ka bërë deklarata të forta lidhur me konfliktet në rajon.
Sipas tij, armiqtë e Izraelit nuk ndikohen nga numri i viktimave apo intensiteti i sulmeve ushtarake.
Ai tha se për palën tjetër të konfliktit, çështja kryesore nuk është humbja njerëzore apo dëmet materiale, por kontrolli dhe marrja e territorit.
Smotrich shtoi se, në këtë kontekst, përfundimi i luftës duhet të shoqërohet me ndryshime të kufijve të Shtetit të Izraelit, duke përmendur Gazën, Libanin, Sirinë dhe Bregun Perëndimor si zona ku, sipas tij, duhet të ketë rishikime territoriale.
Në deklaratën e tij, ai gjithashtu u shpreh se, sipas bindjes së tij personale, nëse do të kishte pasur vendimmarrje të plotë, disa prej këtyre territoreve do të ishin aneksuar shumë kohë më parë.
Ndryshe, “toka e premtuar” izraelite është një koncept historik dhe fetar që lidhet me judaizmin, krishterimin dhe islamin.
Në traditën hebraike, ajo i referohet tokës që, sipas Biblës, Zoti ia premtoi Abrahamit dhe pasardhësve të tij – popullit izraelit.
Kjo zonë përfshin kryesisht territorin e sotëm të Izraelit dhe Palestinës, si dhe pjesë të Jordanisë, Libanit dhe Sirisë në interpretimet më të gjera historike. /Telegrafi/
