E enjte, 14 Maj 2026
Lajme

Kosova, furnizim i ri amerikan me armë/ Dash njofton Kongresin për lëvizjen 14 milionë dollarë

Departamenti amerikan i Shtetit e ka njoftuar Kongresin amerikan për për eksportimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve të mbrojtjes drejt Kosovës, në vlerë prej 14 milionë dollarësh.

Njoftimi është dërguar nga Byroja për Çështje Legjislative e Departamentit amerikan të Shtetit, në përputhje me Ligjin për Kontrollin e Eksportit të Armëve.

I njëjti njoftim i është dërguar edhe Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit.

Në dokumentin e Kongresit nuk jepen hollësi publike për llojin e pajisjeve apo shërbimeve që përfshihen në këtë leje.

Njoftimi për furnizimin e Kosovës me armatim të ri amerikan vjen në kohën kur kongresistë amerikanë po bëjnë thirrje që Uashingtoni ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Kosova nuk ka bërë ende kërkesë formale për t’u anëtarësuar në NATO, pasi përballet me pengesa, siç është mungesa e njohjes së saj nga katër vendet anëtare: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

InfoShqip