Zv. ministri i Financave Endri Yzeiraj deklaroi se qeveria po rishikon skemën e garancisë sovrane, e cila do të përfshijë sektorë të ndryshëm të ekonomisë, me fokus te industria, bizneset eksportuese, logjistike dhe digjitale. Sipas tij, skema synon të mbështesë kryesisht bizneset e vogla për investime në linja prodhimi, digjitalizim dhe standardizim, ndërsa kreditë nuk do të përdoren për blerje trualli apo pronash. Yzeiraj theksoi se qëllimi i garancisë sovrane është modernizimi i bizneseve shqiptare dhe rritja e aftësisë së tyre për të investuar dhe konkurruar në tregun e BE.
“Jemi duke riparë amendimin dhe rishikimin e skemës së garancisë sovrane dhe do të jetë e përfshirë e gjithë ekonomia. Fokus do të jenë industria, bizneset eksportuese, bizneset logjistike, digjitale dhe mbase ndonjë sektor tjetër. Qëllimi kryesor është që bizneset që do të përfitojnë të jenë biznese të vogla.
Kjo kredi duhet të përdoret për investim në linja prodhimi, digjitalizim dhe standardizim. Nuk është kredi për t’u përdorur për lëndë të parë apo për të blerë truall apo pronë. Vetëm nëse prona që synohet të blihet është një pjesë e vogël e biznesit total, atëherë vetëm këtu mund të përfitohet.
Skema e re e garancisë sovrane fokus do të ketë aftësimin e bizneseve për të qenë më të afta për të investuar në BE dhe për t’u modernizuar.”
