Në qytetin gjerman Sinzig po zhvillohet një operacion i madh policor për shkak të një krize me pengje që shpërtheu mëngjesin e sotëm rreth orës 9:00 në një degë të Volksbank.
Në terren ndodhen forca të shumta policore, përfshirë edhe njësitë speciale, ndërsa mbi zonë po fluturojnë helikopterë, raporton Bild.
Drama, sipas informacioneve, ka filluar kur përpara bankës është ndalur një furgon i blinduar për transport parash. Në momentin kur një punonjës i kompanisë së sigurisë doli nga automjeti me qëllim të hynte në bankë, ai u ndalua dhe u kërcënua nga një burrë ende i panjohur. Rrëmbyesi dhe punonjësi thuhet se ndodhen tani në kasafortën e bankës.
Zëdhënësi i policisë ka konfirmuar se është duke u zhvilluar një krizë pengjesh. “Sipas informacionit aktual, besojmë se brenda bankës ndodhen disa autorë dhe pengje. Njëri nga pengjet është shoferi i automjetit të transportit të parave”, deklaroi ai.
Policia gjithashtu ka bërë të ditur se situata në terren për momentin është stabile “Për qytetarët jashtë zonës së siguruar aktualisht nuk ka rrezik”.
Një numër i madh policësh ndodhen përpara degës së Volksbank, ndërsa e gjithë qendra e qytetit është rrethuar. Furgoni i blinduar ende ndodhet i parkuar para hyrjes së bankës. Banorët janë thirrur përmes rrjeteve sociale të shmangin qendrën e qytetit, ndërsa policia ka bërë apel që të mos shpërndahen informacione të rreme ose të paverifikuara.
Deri më tani nuk ka informacione zyrtare se sa persona saktësisht ndodhen të mbajtur peng brenda bankës, as nëse rrëmbyesit janë të armatosur. Ndërkohë, në rrjetet sociale kanë qarkulluar zëra se disa prej autorëve mund të jenë tashmë në arrati, por policia ende nuk është deklaruar për këto pretendime.
Sinzig ndodhet në luginën e poshtme të lumit Ahr në landin Rheinland-Pfalz, rreth dhjetë kilometra nga kufiri me Nordrhein-Westfalen. Qytetet më të afërta më të mëdha janë Bonn, rreth 20 kilometra larg, dhe Koblenz, rreth 30 kilometra larg. /Telegrafi/
