E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

KRU “Prishtina” alarmon për 45 milionë euro borxhe: Çdo faturë e papaguar sot, është një rubinet më pak nesër

Image

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka ngritur alarmin për, siç e quan, një nivel të lartë të borxheve ndaj shërbimit të ujit, duke bërë të ditur se detyrimet e papaguara kanë arritur në 45 milionë euro.

Në një njoftim të publikuar, KRU “Prishtina” e ka përshkruar këtë shumë si “një mal i ndërtuar me mospagesa, papërgjegjësi dhe heshtje”, duke paralajmëruar se borxhet rrezikojnë investimet dhe ofrimin e shërbimeve.

“Çdo faturë e papaguar sot, është një rubinet më pak nesër, një investim i ndalur, një shërbim i rrezikuar”, thuhet në njoftim.

Kompania ka theksuar se uji është shërbim jetik dhe se mospagesa e faturave dëmton të ardhmen e sistemit të furnizimit.

“Uji është jetë, jo mall pa vlerë. Ai që e përdor dhe nuk e paguan, nuk po kursen para, po vjedh të ardhmen e të gjithëve”, thuhet më tej.

Në fund, KRU “Prishtina” ka kërkuar reagim të menjëhershëm, duke e cilësuar situatën si alarm që kërkon veprim.

“45 milionë euro nuk janë vetëm borxh. Janë alarm që kërkon ndërgjegje, drejtësi dhe veprim tani”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/

InfoShqip