E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Lamtumirë Servet Pëllumbi/ Çupi: Profesori ishte një politikan i admiruar, nuk bëri keq dhe as nuk gaboi

TIRANË- Këtë të mërkurë iu dha lamtumira me ceremoni shtetërore homazhesh Servet Pëllumbit, ish kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, një prej figurave themeluese dhe drejtuese të PS.  Autoritetet më të larta shtetërore, Kryeministri Rama, Presidenti Begaj, deputetë dhe personalitete të njohura të PS dhe nga opozita nderuan personalitetin dhe kontributin e tij në politikë.

Servet Pëllumbi do të kujtohet si ideator reformator dhe mendimtar intelektual i politikës shqiptare pas rrëzimit të regjimit komunist.

I ftuar në  “Tirana Live”, analisti Frrok Çupi e vlerësoi figurën e tij si një ndër politikanët më të admiruar në Shqipëri.

Sipas tij, Pëllumbi dallohej për integritetin dhe drejtësinë në vendimmarrje, duke theksuar se ai “nuk bëri keq dhe as nuk gaboi”, pavarësisht mundësive që mund të kishte.

Çupi nënvizoi se kontributi i Pëllumbit u bë veçanërisht i dukshëm në periudhat e vështira të Partisë Socialiste, duke e cilësuar bashkëpunimin e tij me Fatos Nanon si një faktor kyç për daljen e PS nga një situatë e vështirë politike.

Sipas analistit, në rolin e kryeparlamentarit, Pëllumbi kontribuoi në qetësimin dhe paqtimin e situatave politike, përmes një qasjeje të mençur dhe të matur. Ai theksoi gjithashtu se Pëllumbi nuk hezitoi të shprehte bindjet e tij të majta, ndërsa gëzonte respektin dhe mbështetjen e Fatos Nanos.

“Ishte një nga politikanët e admiruar në Shqipëri. Ishte i admirueshëm, sepse ishte njeri i mirë, ishte njeri i drejtë. Çfarë ka të rëndësishme në politikë është se Servet Pëllumbi nuk bëri keq dhe as nuk gaboi. Kishte mundësi të bënte keq, por kishte mundësi dhe të gabonte. Kontributi i tij vlerësohet më shumë në ditët e vështira të Partisë Socialiste. Vlera e Servet Pëllumbit është se e dëgjoi dhe e respektoi Fatos Nanao.

Ka qenë një dyshe, që e nxori PS nga një situatë diskriminuese, ku socialistë ishin shpallur të paligjshëm. Ato ishin kohë të vështira. Si kryeparlamentar kontribuoi në paqtimin e situatës. Ishte një sjellje dhe një politikë e mençur, dhe me sa duket korçarët janë të prerë për të qene kryetar parlamenti. Idetë e tij kanë qenë të majta dhe nuk ka hezituar t’i thotë. Fatos Nano nuk e la vetëm. Fatos Nano e çmoi faktin që në kohët ku ai mund të bënte keq, ai bëri vetëm mirë.”, theksoi ai.

Në analizën e tij, Çupi shtoi se qëndrimi i Pëllumbit ndaj zhvillimeve politike të kohës, përfshirë izolimin e Berishës, shihej prej tij si një zhvillim pozitiv.

“Sa kohë që Berisha izolohej, ai e konsideronte pozitive”, theksoi Çupi/abcnews.al

InfoShqip