E diel, 10 Maj 2026
Lajme

Lojtari ka dhënë “dritën e gjelbër”, Man Utd ofron 45 milionë euro për yllin brazilian

Image

Manchester United raportohet se kanë bërë hapa përpara në garën për transferimin e Edersonit, me mesfushorin brazilian që thuhet se ka arritur marrëveshje për kushtet personale me klubin anglez.

Sipas gazetarit të merkatos, Nicolo Schira, 26-vjeçari ka pranuar një kontratë deri në vitin 2031, me një pagë rreth 5 milionë euro në vit.

Tashmë, United po përgatitet të dërgojë një ofertë rreth 45 milionë euro te Atalanta, me synimin për ta mbyllur marrëveshjen dhe për ta sjellë lojtarin në “Old Trafford”.

Ederson ka qenë një nga mesfushorët më të spikatur në Serie A, duke tërhequr interes të madh nga disa klube evropiane gjatë kësaj vere.

Image

Në garë për të është edhe Atletico Madrid, i cili sipas raportimeve po ashtu ka arritur marrëveshje me lojtarin për një kontratë deri në 2031, me një pagë të propozuar rreth 4.5 milionë euro në vit.

Megjithatë, Atalanta thuhet se e ka refuzuar ofertën e mëparshme të klubit spanjoll prej 35 milionë euro, duke kërkuar një vlerësim më të lartë për mesfushorin.

Oferta e përmirësuar e Manchester United prej rreth 45 milionë euro synon ta tejkalojë Atleticon në këtë garë, për të siguruar shërbimet e brazilianit, i cili me paraqitjet e tij në Itali është kthyer në një nga lojtarët më të kërkuar në rolin e tij këtë verë./Telegrafi/

InfoShqip