
Luis Enrique u shfaq shumë i kënaqur pas kualifikimit të Paris Saint-Germainit në finalen e Champions League, duke e vlerësuar karakterin dhe personalitetin që skuadra e tregoi ndaj Bayern Munichut në një përballje shumë të fortë dhe intensive.
PSG-ja barazoi 1-1 në “Allianz Arena”, rezultat që i mjaftoi për ta siguruar finalen falë fitores spektakolare 5-4 në takimin e parë.
Në finalen e madhe të 30 majit në Budapest, francezët do të përballen me Arsenalin, shkruan “Gazeta Express”.
Pas ndeshjes, trajneri spanjoll foli me shumë krenari për reagimin e ekipit të tij ndaj presionit të Bayernit.
“Karakteri që e treguam kundër një skuadre kaq të madhe ishte i jashtëzakonshëm”, deklaroi Luis Enrique.
Trajneri i PSG-së theksoi se përballje të tilla kërkojnë jo vetëm cilësi teknike, por edhe forcë mendore dhe aftësi për të përballuar momente të vështira gjatë 90 minutave.
“Jemi shumë të lumtur që e kemi arritur finalen e dytë radhazi në Champions League. Ishte një ndeshje shumë intensive dhe e vështirë. Bayerni luan futboll të nivelit shumë të lartë. Të dyja skuadrat janë të ngjashme, sepse edhe neve na pëlqen të bëjmë presion lart”, u shpreh ai.
Luis Enrique e konsideroi këtë sukses si një tjetër provë të rritjes së PSG-së në arenën evropiane, ndërsa skuadra franceze tashmë synon ta mbrojë trofeun e fituar sezonin e kaluar.
Kjo do të jetë finalja e dytë radhazi për parisienët në Champions League, një arritje që e konfirmon PSG-në si një nga ekipet më dominuese në futbollin evropian të viteve të fundit. /Gazeta Express
The post Luis Enrique i ngre në qiell lojtarët e tij, i ka disa fjalë edhe për Bayernin appeared first on Gazeta Express.
