E diel, 03 Maj 2026
Lajme

Marco Rubio do të takohet me Papa Leoni XIV më 7 maj

Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Marco Rubio, do të pritet më 7 maj në Vatikan nga Papa Leoni XIV. Një nga njerëzit më të besuar të Donald Trump-it pritet të jetë në Romë të enjten dhe të premten e ardhshme për një seri takimesh që synojnë të rregullojnë marrëdhëniet e Shtëpisë së Bardhë me qeverinë italiane dhe Selinë e Shenjtë, pas sulmeve të fundit të Trump-it ndaj Giorgia Melonit dhe Papës.

Në këtë kuadër, mediat italiane shkruajnë se, Rubio gjithashtu pritet të takohet me kardinalin Sekretar të Shtetit Pietro Parolin, ashtu edhe vetë Papën më 7 maj, një ditë para përvjetorit të parë të zgjedhjes në fronin papnor, ndërkohë që Prevost do të jetë në vizitë në Pompei dhe Napoli.

Sulmet e Trump-it dhe Vance

Vizita e Rubios vjen pasi, javët e fundit, Trump i ka kritikuar si Papa Leonin XIV ashtu edhe Giorgia Meloni-n. Në veçanti, kreu i Shtëpisë së Bardhë e sulmoi Papën në rrjetet sociale, ditën kur ai po nisej për një udhëtim të gjatë apostolik në Afrikë, duke e quajtur “të dobët ndaj krimit” dhe “të tmerrshëm në politikën e jashtme”, pas një serie kritikash në rritje që Papa i lindur në Chicago ka drejtuar ndaj luftës së Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në Iran dhe Liban, si dhe pasi ai gjatë muajve të fundit, kishte ngritur zërin në mbrojtje të emigrantëve.

Trump kritikoi edhe Melonin për fjalët që ajo ka thënë në mbrojtje të Papës dhe për qëndrimin e Italisë ndaj së njëjtës luftë në Iran. Kritikave të presidentit ndaj Papës iu shtuan edhe ato të zëvendëspresidentit, katolikut J.D. Vance, i cili fillimisht deklaroi se Selia e Shenjtë duhet të merret vetëm me çështje “morale”, dhe më pas e këshilloi Papën të ketë “kujdes” kur flet për teologjinë dhe, në veçanti, për doktrinën e “luftës së drejtë”.

Nga ana e tij, Leoni XIV e ka bërë të qartë se nuk ka interes të debatojë me Trump-in, por ka theksuar qëllimin e tij për të folur qartë në favor të paqes dhe në mbrojtje të viktimave të pafajshme të luftërave.

InfoShqip