Partia Demokratike e Kosovës ka arritur marrëveshje për bashkëqeverisje në Prishtinë me kryetarin Përparim Rama, ndërsa PDK pritet të marrë drejtimin e shtatë drejtorive komunale dhe ndërmarrjeve publike.
Nënkryetarja e PDK-së, Besianë Musmurati tashmë është emëruar nënkryetare e Komunës së Prishtinës, si pjesë e kësaj marrëveshje.
Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se, PDK-ja do të udhëheqë gjashtë drejtori komunale. Leutrim Retkoceri do të drejtojë Drejtorinë për Shërbime Publike, ndërsa Arianit Elshani do të jetë në krye të Drejtorisë për Arsim.
Po ashtu, Drejtorinë për Transformim do ta udhëheqë Nora Gagica, ndërsa Drejtoria për Sport i është besuar Granit Geci.
Në sektorët tjerë, Isah Mustafa do të drejtojë Drejtorinë për Kulturë, ndërsa Drejtoria për Parqe do të udhëhiqet nga Albana Gjonbalaj.
Burimet shtojnë se Agron Canolli pritet të marrë drejtimin e Drejtorisë së Urbanizmit.
Marrëveshja mes PDK-së dhe Ramës përfshin edhe ndarjen e ndërmarrjeve publike. Sipas burimeve, PDK-ja do të udhëheqë KRU Pastrimi, Ndërmarrjen Publike Banesore dhe Trafiku Urban, ndërsa ndërmarrja e katërt pritet të përcaktohet mes Prishtina Parking ose Pallatit të Rinisë.
Një ditë më parë, nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, konfirmoi se është arritur marrëveshja për koalicion me Ramën.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar duke mohuar përfshirjen në këtë marrëveshje, duke theksuar se nuk ka asnjë dakordim për bashkëqeverisje në Prishtinë.
“LDK ka strukturat e veta partiake dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse”, thuhet në reagimin e kësaj partie. /Telegrafi/
