Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me aksionin e zhvilluar së fundmi kundër mashtrimit kompjuterik, ku janë arrestuar dy persona dhe janë sekuestruar dhjetëra mijëra euro dhe vetura luksoze.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aksioni është realizuar më 2 maj në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në kuadër të hetimeve për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Bastisjet janë kryer në pesë lokacione, përfshirë dy në fshatin Samadraxhë të Suharekës dhe tri në Prishtinë.
“Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 48.350 euro para të gatshme, dhjetë vetura me vlerë të përgjithshme rreth një milion euro, si dhe pajisje elektronike, që pritet të shërbejnë si prova materiale në këtë procedurë penale”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të veprimeve hetimore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë arrestuar dy persona, të cilët janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për përfshirje në këtë aktivitet kriminal.
Rasti lidhet me raportimet për mashtrimin e qytetarëve jashtë vendit, ndërsa autoritetet janë duke vazhduar hetimet për zbardhjen e plotë të skemës.
Prokuroria bëri të ditur se brenda afatit ligjor do të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.
“Prokurori i çështjes, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet më tej.
Prokuroria Themelore në Prishtinë thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe në sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave që kryejnë vepra penale. /Telegrafi/
