E martë, 05 Maj 2026
Lajme

Mbi 4,200 gjoba në prill në Mitrovicën e Jugut, sekuestrime patentash e automjetesh në kontrolle të shtuara në trafik

Image

Policia e Kosovës në Rajonin e Mitrovicës së Jugut ka njoftuar se gjatë muajit prill ka realizuar kontrolle të shtuara në trafikun rrugor, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në trafik, duke bërë të ditur se si rezultat janë shqiptuar mbi 4,200 gjoba për kundërvajtje të ndryshme.

Në një postim në Facebook, policia ka theksuar se, krahas angazhimeve të përditshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, siguria në trafik mbetet një ndër prioritetet kryesore në këtë rajon.

Siç thuhet në njoftim, gjatë prillit, përveç gjobave, janë shqiptuar edhe masa mbrojtëse të parapara me ligj, përfshirë sekuestrimin e përkohshëm të 43 patentë-shoferëve dhe sekuestrimin e përkohshëm të 50 automjeteve.

Po ashtu, policia ka bërë të ditur se janë sekuestruar edhe 42 motoçikleta, skutera dhe trotinetë.

Nga numri i përgjithshëm i gjobave, policia ka theksuar se kundërvajtjet që kanë dominuar janë: mosrespektimi i shpejtësisë (1,958), parkimet e parregullta (1,005), xhamat e errësuar (256), drejtimi i mjetit pa patentë-shofer (148), përdorimi i telefonit gjatë vozitjes (64) dhe mosvendosja e helmetës mbrojtëse (40).

Policia ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë për qytetarët dhe ka apeluar te pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit. /Telegrafi/

InfoShqip