
Shkruan: Enver Hasani
Për këtë arsye, goditjet më të mëdha në sistem i kanë përjetuar Gjykata Kushtetuese dhe sistemi i drejtësisë, të cilët qartë shihet se kanë mbetur një bastion i pakalueshëm ndaj tendencës për kapje totale të institucioneve të sistemit dhe shndërrim të partisë në pushtet në parti-shtet.
Hipoteza mbi fajin
Ka dy vite që Kosova ka hyrë në një rreth vicioz, dalja nga i cili nuk duket në horizont. Zgjedhjet e njëpasnjëshme janë bërë “antidot”, në sytë e pushtetit aktual, për zgjidhjen e ngërçeve politike që shfaqen sa herë që duhet ndarë kulaçi i pushtetit. Këto dy fakte bazike formojnë strukturën e brendshme të kategorisë së fajit politik, i cili kurrë nuk është jetim. Pra, së pari, kemi rrethin vicioz të bllokadës së institucioneve pas përfundimit të zgjedhjeve dhe, së dyti, zgjedhjet si “antidot” për zhbllokimin e institucioneve. Institucioni i zgjedhjeve, metaforikisht thënë, është lubrifikant i demokracisë. Tani, me fjalë të tjera, kërkohet që ky lubrifikant, si mjet, të kryejë detyrën mitike të zhbllokimit të demokracisë, ndërkohë që vetë ai dëshmohet vazhdimisht si indikator i bllokadës.
Se faji nuk është jetim dhe ka adresë të saktë, e kam theksuar edhe në dy shkrimet e mia të mëparshme, kur nisi të ravijëzohej ky ngërç. Këtë radhë po e përdor fjalën “kurrë” si ndajfolje kohe për të shprehur mohimin absolut, me qëllim që t’u dërgoj një mesazh disa intelektualëve snobë, të cilët atëherë e vunë në dyshim tezën time bazë mbi fajin dhe adresimin e tij.
Ky konstatim mbështetet në dy premisat e mësipërme dhe në faktin primar se Kosova gjendet në një rreth vicioz pa dalje të dukshme, pra në një bllokadë. Nëse kjo është kështu, dhe nëse zgjedhjet shihen si antidot për daljen nga ngërçi, atëherë pushteti aktual është adresa ku duhet kërkuar faji.
Arsyeja për këtë është se rrethi vicioz nuk krijohet në marrëdhënie shoqërore kur raporti i forcave është i barabartë, ose afër barazisë. Ai krijohet atëherë kur një palë me fuqi dominuese nuk i nënshtrohet arsyes dhe mbyll rrugët e marrëveshjes. Në demokracitë tradicionale evropiane, kur janë përballur me ngërçe institucionale, nuk ka pasur mungesë të gatishmërisë për marrëveshje dhe kompromis nga ana e pushtetit që ka shumicën absolute; përkundrazi, siç do të shihet në vijim, ka ndodhur shpesh që pushteti të tërhiqet përpara opozitës dhe pakicës, për të gjetur zgjidhje në frymën e mirëbesimit.
Sa herë që një fuqi e tillë nuk hap rrugë për kompromis dhe ka interes ta mirëmbajë rrethin vicioz, atëherë shkaku i ngërçit është i qartë: synimi për dominim absolut dhe nënshtrim të sistemit. Rrjedhimisht, hipoteza themelore e këtij shkrimi është se partia në pushtet synon të shndërrohet në parti-shtet, me qëllim nënshtrimin total të të gjitha segmenteve të sistemit.
Ky synim nuk mund të arrihet kurrë, sepse asnjëherë nuk është arritur në historinë e përfaqësimit politik, përfshirë edhe gjatë kohës së diktaturës staliniste: kurrë askush nuk ka arritur dhe nuk mund të arrijë fshirjen e dallimit mes shoqërisë civile dhe shtetit.
Faktorët që determinojnë këtë hipotezë
Hipoteza e mësipërme nuk qëndron në ajër; ajo mbështetet në një sërë faktorësh institucionalë, politikë dhe strukturorë që, të marrë së bashku, e bëjnë të qartë drejtimin në të cilin po lëviz sistemi.
Së pari, ekziston një faktor i qartë institucional. Në një rend normal kushtetues, mekanizmat e kontrollit dhe balancës funksionojnë pikërisht për të parandaluar përqendrimin e pushtetit dhe për të detyruar kompromisin. Kur këta mekanizma dobësohen ose anashkalohen, pushteti fillon të sillet si një njësi e vetme, jo si pjesë e një arkitekture të ndarë. Në këtë kontekst, përdorimi i zgjedhjeve të njëpasnjëshme nuk është shenjë e vitalitetit demokratik, por tregues i një krize funksionale që nuk po zgjidhet, por po riciklohet.
Megjithatë, kjo krizë nuk e ka burimin te institucionet kushtetuese të sistemit. Përkundrazi, mekanizmat e kontrollit dhe balancës, përfshirë rolin kolosal të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Supreme, kanë qenë pengesa kryesore ndaj shndërrimit të Kosovës, përmes mekanizmit zgjedhor, në një “Kosovë-parti”.
Nga institucionet e sistemit, të cilat kanë qenë të mandatuara për të shërbyer si balancues dhe kontrollues të pushtetit ekzekutiv dhe tendencave autoritare, vetëm institucioni i Presidentit të Republikës ka rënë në provimin historik të demokracisë kushtetuese në Kosovë, duke përligjur shkeljet më të rënda të Kushtetutës dhe të rendit kushtetues – shkelje ndër më seriozet në historinë e demokracisë kushtetuese evropiane, nga periudha e komunizmit e deri më sot.
Së dyti, faktori politik shfaqet në refuzimin sistematik të kompromisit. Kur një subjekt politik e sheh veten si bartës ekskluziv të legjitimitetit, atëherë çdo marrëveshje me të tjerët perceptohet si dobësi, jo si domosdoshmëri demokratike. Kjo prodhon një klimë përjashtimi, ku kundërshtari politik nuk trajtohet si partner në sistem, por si pengesë që duhet tejkaluar ose neutralizuar.
Në këtë funksion kanë qenë propozimet e zotit Albin Kurti për emra të përveçëm, pa marrëveshje politike, për postin e Presidentit të Republikës. Arsyeja bazike për këtë refuzim sistematik të kompromisit nga ana e zotit Kurti lidhet me përvojën e “hidhur” me zonjën Osmani: tashmë është duke kërkuar nënshtrim më të qëndrueshëm dhe jo vetëm të rastësishëm të institucionit të Presidentit të Republikës.
Ideja e emrave të përveçëm, si dhe ftesat “policore” të kryetares së Kuvendit për qëndrimin në sallë të deputetëve të opozitës, duke i thirrur me emër partitë opozitare në kontekst me “Listën Serbe”, kanë pasur si qëllim që deputetët të qëndronin në sallë, në mënyrë që në tentimin e tretë të zgjidhej emri i përveçëm i zotit Kurti. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë kjo qasje ndaj opozitës dhe “Listës Serbe” shërben, sipas kësaj logjike, për komprometimin e tyre në sytë e votuesit kosovar në prag të zgjedhjeve të datës 7 qershor 2026.
Së treti, ekziston një dimension ideologjik dhe psikologjik që nuk duhet nënvlerësuar. Kur politika moralizohet në atë masë sa njëra palë identifikohet me të mirën absolute, ndërsa të tjerat me të keqen absolute, atëherë humbet vetë mundësia e dialogut racional. Në një situatë të tillë, kompromisi nuk është më instrument i arsyes, por shihet si tradhti ndaj një misioni të vetëpërkufizuar si moral.
Prania e zotit Kurti në manifestime, konferenca, kongrese dhe tubime ndërkombëtare të së majtës, me një agjendë që shpesh përfshin kritikën ndaj dominimit amerikan në botë, flet për ndikimin ideologjik dhe psikologjik mbi të të rrymave të majta anti-amerikane. Këto rryma, në vendet e tyre (me përjashtim të Spanjës), aktualisht shpesh dominohen nga pushtete me prirje dhe praktika të theksuara autoritare.
Së fundi, dhe ndoshta më i rëndësishmi, është faktori strukturor: tendenca për shndërrimin e partisë në pushtet në parti-shtet. Kjo nuk ndodh domosdoshmërisht përmes një akti të vetëm, por përmes një procesi gradual, ku kufiri midis partisë dhe institucioneve fillon të zbehet. Në këtë proces, krizat nuk shihen si probleme që duhet të zgjidhen, por si mundësi për konsolidim të mëtejshëm të pushtetit. Për këtë arsye, goditjet më të mëdha në sistem i kanë përjetuar Gjykata Kushtetuese dhe sistemi i drejtësisë, të cilët qartë shihet se kanë mbetur një bastion i pakalueshëm ndaj tendencës për kapje totale të institucioneve të sistemit dhe shndërrim të partisë në pushtet në parti-shtet.
Kur këta faktorë bashkëveprojnë, rrethi vicioz nuk është më një aksident politik, por bëhet një gjendje e qëndrueshme, e prodhuar dhe e mirëmbajtur me vetëdije. Dhe pikërisht në këtë pikë, nocioni se “faji nuk është jetim” merr kuptimin e tij të plotë: ai ka jo vetëm autor, por edhe mekanizëm, strukturë dhe qëllim. Sipas kësaj teze, përgjegjësia i atribuohet zotit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Ngërçet politike në Evropë
Për të kuptuar më qartë natyrën e ngërçit aktual, është e dobishme të shihet përvoja evropiane e dy dekadave të fundit. Ngërçet politike në vende të ndryshme të Evropës tregojnë se, pavarësisht konteksteve të ndryshme, logjika e krijimit dhe e zgjidhjes së tyre ndjek disa modele të përsëritshme, të cilat nuk shfaqen në Kosovë. Në këtë kuptim, Kosova vërtet është sui generis.
Në Belgjikë, vendi mbeti për më shumë se një vit pa qeveri funksionale për shkak të ndarjeve të thella gjuhësore dhe institucionale. Ngërçi nuk u zgjidh nga zgjedhjet, por nga një kompromis i detyruar ndërmjet palëve. Në Kosovë, nga ana tjetër, nuk kanë qenë dhe nuk janë ndarjet e thella gjuhësore apo institucionale burim i ngërçit, por mungesa e sensit themelor për marrëveshje politike nga ana e partisë në pushtet.
Në Spanjë, fragmentimi i sistemit partiak prodhoi zgjedhje të njëpasnjëshme dhe vështirësi në formimin e qeverive stabile. Edhe këtu, zgjidhja erdhi vetëm përmes koalicioneve të brishta, jo përmes “rifreskimit” të vazhdueshëm elektoral. Zgjedhjet e përsëritura nuk e ndryshojnë strukturën bazë: fragmentimi mbetet, dhe aritmetika parlamentare shpesh del e njëjtë ose edhe më e komplikuar. Në thelb, ngërçi spanjoll nuk është vetëm politik, por strukturor: sistemi zgjedhor, pluralizmi rajonal dhe polarizimi e bëjnë shumë të vështirë krijimin e shumicave të qëndrueshme. Në Kosovë, nga ana tjetër, nuk është sistemi zgjedhor, pluralizmi rajonal apo polarizimi politik që e vështirësojnë krijimin e shumicave të qëndrueshme, por mungesa e sensit themelor për marrëveshje politike nga ana e partisë në pushtet.
Në Itali dhe Greqi, krizat politike dhe ekonomike kanë çuar në ndërhyrje teknokratike, duke treguar se kur politika dështon të prodhojë kompromis, sistemi kërkon zgjidhje jashtë logjikës së zakonshme partiake. Këtë logjikë zoti Kurti nuk duket se mund ta imagjinojë: ai nuk është në gjendje të dorëzojë pozitën e Presidentit të Republikës, e aq më pak të heqë dorë nga ekzekutivi, pozicion që e ka siguruar pas çdo rezultati zgjedhor, së paku edhe për dy vitet e ardhshme.
Përveç kësaj, ekzekutivi i Kurtit nuk i nënshtrohet, sipas kësaj qasjeje, përgjegjësisë politike dhe institucionale për mënyrën se si vepron dhe flet. Në asnjë vend evropian qeveritë në detyrë nuk janë parë si uzurpatore të pushtetit, por si kujdestare të përkohshme të ekzekutivit, pa sfiduar apo cenuar kuadrin kushtetues dhe ligjor të ushtrimit të kufizuar të pushtetit në detyrë. Në këtë rast, argumentohet se Kurti jo vetëm që ka sfiduar, por edhe ka shkelur çdo parametër kushtetues dhe ligjor në fuqi që normon postin e ekzekutivit në detyrë. Edhe kjo e bën Kosovën sui generis në Evropë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, procesi i Brexit tregoi një tjetër model: kur kompromisi bëhet i pamundur, zgjidhja imponohet nga një shumicë e fortë politike, pas një periudhe të gjatë bllokade. Kjo ka qenë e mundur në Britani për shkak të natyrës së sistemit parlamentar britanik, një sistem i pastër parlamentar, ku shefi i ekzekutivit bie dhe ngrihet gjithmonë në varësi të shumicës parlamentare që votohet drejtpërdrejt, pa mundësi të zgjedhjes së një ekzekutivi tjetër brenda të njëjtit cikël zgjedhor. Edhe ky aspekt britanik e bën Kosovën të dallueshme: Albin Kurti, para gjashtë vitesh, provoi të instalonte një praktikë të ngjashme, kur kërkonte zgjedhje të menjëhershme pas rrëzimit të tij nga pushteti. Ajo tendencë po materializohet sot, tani kundër vetvetes në shikim të parë, por në fakt në dobi ekskluzive të vetvetes dhe të sundimit të tij, pa parlament dhe pa dhënë asnjë përgjegjësi për veprimet e kryera dhe fjalët e thëna. Kjo e bën Kosovën sui generis në Evropë.
Këto raste dëshmojnë një të vërtetë të thjeshtë, por thelbësore: ngërçet politike nuk janë kurrë pa shkak dhe as pa adresë. Ato lindin ose nga struktura të tensionuara të ingranuara në sistemin kushtetues, ose nga refuzimi i kompromisit nga aktorët dominues. Po aq e rëndësishme është se zgjedhjet e përsëritura rrallëherë janë zgjidhje në vetvete; ato janë më shpesh simptomë e ngërçit sesa ilaç për të.
Rasti i Kosovës, megjithatë, përbën një përjashtim dhe konfirmon një rregull më të gjerë: aty ku mungon vullneti për marrëveshje dhe ku njëra palë synon dominim të plotë, rrethi vicioz zgjedhor bëhet mekanizëm i qëndrueshëm i funksionimit politik.
Adresimi i fajit si kusht për dalje nga ngërçi
Çështja e fajit nuk është thjesht çështje interpretimi, por çështje e adresimit të saktë. Shoqëritë që nuk e identifikojnë drejt burimin e krizave të tyre janë të dënuara t’i riprodhojnë ato pafundësisht, duke u rrotulluar në të njëjtin rreth vicioz që vetë e ushqejnë.
Insistimi se “faji nuk është jetim” nuk është një figurë retorike, por një kërkesë themelore për racionalitet politik dhe përgjegjësi publike. Sepse në momentin kur faji shpërndahet në mënyrë të paqartë ose relativizohet, siç ndodh shpesh në diskursin publik dhe në disa media të vendit, ai pushon së qeni instrument shpjegimi dhe kthehet në mjet justifikimi. Dhe kur faji shndërrohet në justifikim, atëherë kriza nuk është më problem që pret zgjidhje, por gjendje që kërkon të ruhet.
Kjo është arsyeja pse adresimi i fajit nuk është akt akuzues në vetvete, por kusht paraprak për dalje nga ngërçi. Pa këtë hap, çdo “antidot” politik – përfshirë zgjedhjet – mbetet vetëm një iluzion i përsëritur i zgjidhjes, ndërsa problemi vazhdon të jetojë dhe të riprodhohet. Sepse, në fund, faji që nuk emërtohet drejt nuk zhduket; ai vetëm maskohet. Dhe pikërisht për këtë arsye, ai kurrë nuk është jetim. Ai mund të adresohet vetëm kur, në diskursin publik, të gjithë përfshihen në kërkimin e përgjegjësisë, por jo në mënyrë të tillë që përgjegjësia të shpërndahet deri në zhdukje të saj. E vërteta është se faji duhet të adresohet dhe të lokalizohet, por ai asnjëherë nuk u takon të gjithëve.
(Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare)
The post Mbi fajin që kurrë nuk është jetim appeared first on Gazeta Express.
