
Lionel Messi u kap nga kamerat duke bërë gjeste qortuese drejt tifozëve të Inter Miamit, pasi grupet më të zjarrta të mbështetësve organizuan një protestë të heshtur gjatë fitores 2-0 ndaj Portland Timbers në MLS.
Ylli argjentinas u pa duke reaguar nga fusha drejt tribunave, në një mbrëmje që duhej të ishte festive për fitoren e parë të klubit në “Nu Stadium”, por që u shoqërua me tension mes lojtarëve dhe tifozëve.
Inter Miami më në fund siguroi fitoren e parë në shtëpinë e re të dielën mbrëma, duke mundur Portlandin 2-0. Megjithatë, suksesi u zbeh nga pakënaqësia e dukshme e tifozëve më të përkushtuar. “La Familia”, grupimi që bashkon mbështetësit kryesorë të klubit, qëndroi në heshtje për 85 minutat e para të ndeshjes. Tribunat, zakonisht të mbushura me daulle, flamuj dhe këngë, këtë herë ishin shumë më të qeta.
Sipas raportimeve, tifozët janë të pakënaqur me atë që e shohin si mungesë “respekti” nga lojtarët. Përfaqësues të grupit pretendojnë se pas katër ndeshjeve të para në stadiumin e ri, futbollistët i kanë injoruar tribunat dhe kanë shkuar direkt në dhomat e zhveshjes.
“Lojtarët nuk kanë treguar respekt për La Familia. Nuk kanë ardhur te tribuna jonë pas ndeshjeve, edhe pse disa prej nesh vijnë që në orën 11:00 të mëngjesit për të përgatitur atmosferën, vendin e tifozëve dhe flamujt brenda stadiumit”, tha JC Aviles nga “Southern Legion”, sipas Miami Herald. “Ne këndojmë me gjithë shpirt për më shumë se 90 minuta. I vetmi lojtar që erdhi të na përshëndeste ishte Noah Allen, ndërsa të tjerët shkojnë drejt e në dhomat e zhveshjes. Kjo nuk është në rregull!”
NO LE GUSTÓ NADA AL CAPITÁN 👀
— TNT Sports Argentina (@TNTSportsAR) May 18, 2026
La reacción de LIONEL MESSI cuando parte de la hinchada de Inter Miami cantó pidiendo apoyo al equipo.
👉 Inter Miami derrotó 2-0 a Portland Timbers y Messi acumuló un gol y una asistencia. pic.twitter.com/uda8D95ZOE
Tensioni arriti kulmin në minutën e 85-të, kur tifozët e thyen heshtjen me një mesazh të qartë. Një pjesë e tribunës nisi të këndonte në spanjisht: “Lojtarë, përshëndetni tifozët tuaj, respektoni njerëzit tuaj, që nuk kërkojnë asgjë tjetër nga ju!” Kërkesa nuk u prit mirë nga Messi, i cili u duk se bëri një gjest mosmiratues drejt tribunave.
Pas ndeshjes, reagimet nga lojtarët dhe stafi ishin të ndryshme. German Berterame, i cili shënoi golin e dytë pas golit hapës të Messit, pranoi se i kuptonte tifozët.
“Sigurisht, ishte befasuese, por ata kanë të drejtë në njëfarë mënyre, sepse meritojnë t’i vlerësojmë”, tha Berterame. “E rëndësishme është të qëndrojmë të bashkuar, në të njëjtën anë. Sot fituam pas shumë kohësh dhe kjo u sjell lumturi edhe atyre.”
Mbrojtësi i djathtë Facundo Mura u tregua më diplomatik.
“Ne si lojtarë jemi të qetë dhe të bashkuar. E vlerësojmë absolutisht gjithçka: stafin teknik, të gjithë në klub që na japin atë që na nevojitet dhe tifozët, që na mbështesin gjithmonë. Sot ishte një fitore që e meritonim të gjithë dhe mendoj se duhet të qëndrojmë bashkë. U jemi shumë mirënjohës, ata janë pjesë e jona dhe ne jemi të gjithë një familje”, tha ai.

Ndërkohë, trajneri i përkohshëm Guillermo Hoyos shmangu përfshirjen në polemikë.
“Inter Miami është një klub i madh për shkak të lojtarëve që kanë qenë kampionë dhe kanë fituar shumë gjëra. Tifozët bënë shfaqjen e tyre, por nuk kam ndonjë koment për këtë”, tha Hoyos.
Fitorja ishte shumë e rëndësishme për Inter Miamin në Konferencën Lindore, pasi skuadra u ngjit në vendin e dytë me 28 pikë, vetëm dy më pak se kryesuesi Nashville. Duke folur për sakrificën e lojtarëve pas një kalendari të ngjeshur, Hoyos theksoi se skuadra kishte dhënë maksimumin.
“Lojtarët dhanë gjithçka, bënë një sakrificë të madhe sepse ishin të lodhur pas një jave shumë të vështirë me udhëtime. Urime të gjithëve që janë pjesë e punës sonë të përditshme. Jemi shumë të lumtur për fitoren dhe për faktin që vazhdojmë të rritemi, hap pas hapi”, përfundoi ai. /GazetaExpress/
The post Messi qorton tifozët e Inter Miamit appeared first on Gazeta Express.
