E shtunë, 02 Maj 2026
Lajme

Mo Salah po mendon të transferohet në një vend ku nuk e priste askush

Image

Mohamed Salah, i cili pritet të largohet nga Liverpooli këtë verë, do ta shfrytëzojë Botërorin e kësaj vere për të vendosur se ku do të vazhdojë karrierën e tij në nivel klubesh.

Salah e njoftoi largimin nga “Anfield” në mars, duke i dhënë fund një periudhe nëntëvjeçare në Merseyside, gjatë së cilës superylli i Liverpoolit fitoi pothuajse çdo trofe të mundshëm.

Egjiptiani i cili me paraqitjet e tij sezonin e kaluar ndihmoi Liverpoolin ta fitojë titullin e Ligës Premier, kishte negociuar një vazhdim kontrate në vitin 2025, e cila duhej të zgjaste edhe dy vjet. Megjithatë, ai arriti një marrëveshje për shkëputje me konsensus me klubin, duke u bërë lojtar i lirë këtë verë.

Në garën për firmën e tij, Salah së fundmi u lidh me klubin turk Fenerbahce, që thuhet se i ofron një pagë vjetore prej 20 milionë eurosh në këmbim të shërbimeve të tij.

Por sipas një raportimi të TEAMtalk, Salah do të shqyrtojë një destinacion të ri gjatë Botërorit të kësaj vere — Major League Soccer (MLS) në Shtetet e Bashkuara.

MLS është e interesuar ta sjellë në kampionatin e saj anësorin e Liverpoolit, i cili u rendit i katërti në “Topin e Artë” 2025, ndërsa San Diego po përmendet si destinacioni më i mundshëm.

Salah, i cili do ta udhëheqë Egjiptin si kapiten në këtë turne veror, pritet ta shfrytëzojë kohën në SHBA për të vendosur për të ardhmen e tij në nivel klubesh.

Burime pranë situatës bëjnë të ditur se familja e egjiptianit do të jetë me të gjatë Botërorit dhe do ta shfrytëzojë këtë periudhë për të parë nga afër se si do të dukej jeta e tyre “përtej Atlantikut”./Telegrafi/

InfoShqip