E diel, 03 Maj 2026
Lajme

NASA: Mexico City po fundoset 25 cm në vit, shihet edhe nga hapësira

Mexico City po fundoset me rreth 25 centimetra në vit, tregojnë të dhënat e reja satelitore të NASA-s.

Shkencëtarët paralajmërojnë se ky fenomen po kërcënon seriozisht infrastrukturën dhe po thellon krizën kronike të ujit në kryeqytet. Qyteti dhe zonat përreth tij janë ndërtuar mbi një shtrat të lashtë liqeni, cka e bën tokën atje veçanërisht të paqëndrueshme dhe të ndjeshme ndaj fundosjes.

Për dekada me radhë, nxjerrja e pakontrolluar e ujërave nëntokësore, së bashku me urbanizimin e shpejtë, ka shkaktuar ulje graduale të tokës, theksojnë ekspertët. Pasojat janë tashmë të dukshme: ndërtesa historike dhe monumente të vjetra, përfshirë Katedralen Metropolitane, e cila nisi të ndërtohej në vitin 1573, po dëmtohen.

Gjeofizikani Enrique Cabral nga Universiteti Kombëtar i Meksikës, thotë se fenomeni po kërcënon infrastrukturën jetike të qytetit. “Kjo prek pjesë të rëndësishme si metroja, sistemi i drenazhimit, furnizimi me ujë, rrjeti i ujit të pijshëm, banesat dhe rrugët. Është një problem shumë i madh,” shpjegon ai.

Raporti më i fundit i NASA-s tregon se në disa zona toka po ulet mesatarisht rreth dy centimetra në muaj, duke përfshirë aeroportin kryesor. Të dhënat janë mbledhur nga sateliti NISAR, një bashkëpunim i NASA-s dhe Organiztës Indiane të Kërkimor Hapësinor. Shkencëtari Paul Rosen theksoi se teknologjia satelitore ka mundur të ofrojë një pamje më të qartë dhe më të saktë të proceseve nën sipërfaqe, duke nënvizuar se ajo lejon “të shihet shkalla e plotë e problemit.”

InfoShqip