E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Ndryshimet në rekrutimin ushtarak, studentët gjermanë dalin sërish në rrugë: Merz dhe industria e luftës na duan “mish për top”

411111

Dhjetëra mijëra nxënës pritet të dalin në protesta në të gjithë Gjermaninë këtë të premte, kundër ndryshimeve të reja të qeverisë për shërbimin ushtarak dhe forcimin e ushtrisë.

Sipas organizatorëve, mbi 50 mijë të rinj pritet të bojkotojnë mësimin dhe të marrin pjesë në demonstrata.

Protesta është planifikuar më 8 maj, ditën që shënon fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe humbjen e Gjermanisë naziste.

Lëvizja protestuese “Schulstreik gegen Wehrpflicht” kundërshton politikat e qeverisë së kancelarit Friedrich Merz për rritjen e kapaciteteve ushtarake.

“Qeveria dhe industria po përgatiten për luftë, ndërsa ne të rinjtë duan të na bëjnë mish për top”, deklaroi një nga organizatorët e protestës.

Sipas ligjit të ri, të gjithë 18-vjeçarët në Gjermani do të marrin pyetësorë të detyrueshëm për të vlerësuar gatishmërinë e tyre për shërbim ushtarak. Nga viti 2027 parashikohen edhe kontrolle të detyrueshme mjekësore.

Qeveria gjermane argumenton se masat janë të nevojshme për shkak të kërcënimeve në rritje nga Rusia pas luftës në Ukrainë.

Megjithëse shërbimi i detyrueshëm ushtarak nuk është rikthyer zyrtarisht, autoritetet nuk e kanë përjashtuar këtë mundësi në të ardhmen.

Objektivi i Berlinit është që brenda 10 viteve ushtria gjermane të shtohet me rreth 80 mijë ushtarë të rinj. /Panorama

The post Ndryshimet në rekrutimin ushtarak, studentët gjermanë dalin sërish në rrugë: Merz dhe industria e luftës na duan “mish për top” appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip