E premte, 08 Maj 2026
Lajme

Nëse “rrëshqitni” me qellim – ju pret litari

Ilustrim

Ekspedita me mijëra tregtarë e zejtarë të cilën e dërgoi në terren vetë Sulltani, kishte marrë një këshillë: “Mos “rrëshqitni” diku me qellim”.

Kishte kaluar gati një vit dhe Tokmaku me shokë po vazhdonte zanatin e vjetër. Megjithatë asnjëherë nuk kishte fjetur i qetë duke menduar se Padishahu mund ti thërras serish e ti provojë me diçka të pa imagjinuar. Kjo, për Tokmakun, kishte mbetur akoma enigmë. Edhe Sulltani edhe zanatlinjtë me nofka të çuditshme nuk i besonin fare njeri tjetrit. Kontrabanda e tyre nuk po ndalej. Ama Sulltani i ri kishte denoncimin jo vetëm të zejtarët kontrabandistë, por ai donte të zbulonte burimin e vërtetë. Nuk e kishin filluar këtë veprimtari të parët zejtaret, por ata me uniforma e grada të larta. Sulltani, fundi i fundit donte të godiste kontrabandën nga koka. Nëse këta cukëlanë rrugësh arrijnë të mashtrojnë vetë Padishahun, çka mund të bëjnë ata me uniforma nëse ju jepet rasti-po mendonte me frikë vetë sulltani.

Korrupsioni, krimi i organizuar dhe tregtia me armë e me ari në shkallë të gjerë, kishte tronditur Perandorinë nga themeli. Derisa Sulltani i sapo kurorëzuar , të cilin akoma e quanin axhami, po mësonte detyrat urgjente, lajmi për zhdukjen e katër oficereve të gardës së re e kishte tronditur tepër. Me sa kishte njohuri Sulltani, deri atëherë, supozohej se jeniçerët ishin strofull i krimit, por për këtë, ai akoma nuk i besonte askujt.

As rrëfimeve të qindra e mijërave tregtarëve të imtë, me nofka e pa nofka, të cilët i dërgoi në ekspeditën gjashtëmujore provuese, nuk po ju besonte seriozisht. Vetë fakti se ata që ishin dalluar herët me punë të pista, nuk mund tu besonte. Ata mund ta gënjenin, dhe të fshihnin shumë informata të rëndësishme. Mosbesimi kishte detyruar dovletin të merrte masa edhe më të rrepta, por për këtë i duheshin fakte që shihen e preken me dorë.

Kur nuk priste askush, Padishahu thirri serish në oborrin mbretëror Tokmakun, Xherahun dhe Salepxhiun. Donte ti provonte mos kanë fshehur diçka gjatë punës se tyre në terren, ku i kishte dërguar me qellim që të shoh sa i përhapur është korrupsioni e hajnia edhe shumë larg kryeqytetit.

Donte të mësonte Sulltani në mos ata kanë fshehur edhe shumë fitim gjatë qëndrimit në terren. Padishahu, pas aq shumë pësimeve, dhe pas dështimeve të shërbimeve kryesore të dovletit, mendonte të mos i ikin nga dora edhe pasuri të tjera, krejt të papara deri tash.

Synonte sulltani, me biseda të thjeshta, ti zinte me pelë përdore. Ai mendonte se nëse edhe këta kanë vjedhë e nuk ka treguar drejt sa kanë fituar për gjashtë muaj në shehrin e Mustafë Agës, do ti dënonte me varje që ashtu të shërbenin si shembull për të tjerët që ishin bashkë me ta në ekspeditën eksperimentuese, qëllimin e së cilës e dinte vetëm padishahu. Dënimi i tyre do të shndërrohej në shembull për të tjerët.

Tokmaku njihej shumë herët për kontrabandë me ari e me armë, por ai fshihej pas zanatit të berberit. Ai ditën që ishte kthyer pas ekspeditës gjashtëmujore, kishte treguar se nga qëndrimi në Vilajetin Krra-Krra ka shitur 125 lira fals, duke fituar po aq lira ari të vërtetë. Për fitimin nga rroja e njerëzve hallexhinj nëpër rrugë, as që e kishte pyetur Sulltani.

Ditën e parë, Tokmaku kishte shfaqur gatishmëri t’ia dorëzonte sulltanit gjithë qemerin me lira. Sulltani i cili kishte humbur besimin e shërbimeve më të larta të perandorisë, kur kishte ndërmarrë këtë hap, nuk kishte kërkuar asgjë nga fitimet e Tokmakut me shokë. Pas ftesës së parë, askush nga ata që kishin qenë në ekspeditë nuk flinte i qetë nga frika se sulltani mund ti merrte në pyetje serish, apo në befasi. Duke ditur mirë sa i kishin ikur taksave e tatimeve të shtetit shumë prej tyre shihnin ëndërr litarin.

Tregtarë të imtë të njëqindenjë mijë zanateve, mund të kishte edhe më shumë, por atyre sulltani mund tua fuste tmerrin duke varur në litar vetëm një prej tyre.

Tokmakun, kësaj radhe e thirri vetëm. Thirrja pa shokë e kishte tmerruar. Derisa ishte me tre shokë zanatlinj të tregut të egër, puna e thirrjes në oborrin mbretëror i dukej diçka më lehtë. Tash kur Sulltani e ftoi që të shkonte vetëm, ai jo vetëm që mori qemerin plot me lira arri, por mori edhe dhjetëra xherdan të tjerë ari, me aq vlerë sa kishte qemeri plot. Nga frika se sulltani mund ta dënonte me varje, ai vendosi ti tregonte edhe shumëçka tjetër që kishte parë atje në shehrin e Mustafë Agës.

Kur Tokmaku arriti në oborrin mbretëror, Sulltani nuk i dha rast as të bënte temena para tij.

-Ti ke qenë atje në vilajetin Krra-Krra dhe me ke tregua fare pak gjera, dhe sa ke fituar atje. Ju pata premtuar se fitimet do ti keni të garantuara, derisa të “rrëshqisni“ diku, krejt me vetëdije. Ti, atë ditë me ke rrejtë fort që ke shitur vetëm lira false duke i këmbyer ato allishverishet tuaja me lira të vërteta ari? Tash më trego sa lira ke fshehur nga unë?

Tokmakut ju mbush mendja se sulltani i di të gjitha dhe paska pasur dikën hafije atje në shehrin e Mustafë Agës që e ka përcjellë në çdo hap. Padishahu paska pasur qëllimin të na provoj sa po vjedhim këtu dhe sa tatim po fshehim. Kishte edhe gjerdanët e arit me veti dhe pa vonuar vendosi ti ja tregonte lartmadhërisë.

-Kur na urdhërove të shkojmë atje dhe të punojmë, lartmadhëri, ti na pate thënë se na garantohet fitimi. Sa mbaj mend, nuk na pate porositur fare për ndonjë informatë tjetër – tha Tokmaku. Lartmadhëri, këta dy gjerdan të arit i kam fshehur duke menduar se nuk do kërkoni më shumë nga ne!- foli Tokmaku.

– Këtu po të pres!- foli Sulltani.

-A mbani mend që ju kam thënë se keni garanci deri në çastin kur do të “rrëshqisni me qellim”. A sheh që ke rrëshqitur me qellim? Tash të pret konfiskimi i gjithë arit dhe dënimi. Nuk do të ketë dënim tjetër, por varje në litar, vazhdoi Sulltani. Ti Tokmak na trego edhe ku ke “rrëshqitur” diku tjetër.

Pasi Sulltani përmendi dënimin, Tokmakun gati e lëshoi shpirti pa varë në litar fare.

-Lartmadhëri! Me duhet të tregoj se sa kam fituar me këtë tregti këtu në kryeqytet?. Arin që kam fituar mund të vini ju ta merrni me qerre sepse nuk mund e sjell me dorë.

– Ha, ha, ha! – qeshi Sulltani më zë të lartë.

Sulltani thirri zaptin që ta marrin Tokmakun. E di unë se ky milet janë quar peshë dhe duan t’ia hanë kokën gjithë perandorisë. Vetëm një Tokmak ja ka dalë të mashtrojë një perandori. Ka mashtruar ai edhe pashallarë e oficer, çaush e nizam, pa dallim. Ai ka mashtruar edhe njerëz të leckosur, pa pikë rahmeti, fliste vet me veti me zë të lartë Sulltani.

– Ha, ha, ha! Janë quar peshë këta tregtarë, por jo vetëm këta. Kur i mashtron edhe pashallarët një Tokmak si ky, kujt duhet ti besoj unë? Duket se do të ketë më shumë varje në litar? Ha, ha, ha!

-Ma thirrni xherahun, urdhëroi zaptin.

Xherahu që shitej si mjek për të bërë fëmijët synet nuk ishte kurrfarë mjeku, por vetëm një berber që i sakatonte njerëzit nëpër rrugë.

Zaptia sollën xherahun para sulltanit.

-Ke dëgjuar gjë për Tokmakun?- e pyeti Sulltani xherahun.

– Jo, asgjë!

– Ka shitur ai ari apo ka blerë armë e ka shitur?

– Për armë e di që ka blerë e ka shitur jashtë shtetit dhe ato i kemi ngarkuar natën në anije të vogla që të mos na zbulojnë.

-Sa herë i keni ndihmuar të ngarkonin armë? Kush ua jepte armët? Nga sa i blinit? Di ndonjë Pasha që ai ju shiste armë juve.

– Krejt marrëveshjet i bënte Tokmaku. Na vetëm merrnim paratë, aq sa na jepte ai. Kemi qenë me dhjetëra njerëz. Kemi parë ë edhe njerëz të tjerë që nuk kishin lidhje me Tokmakun. Ata i nxirrnin armët diku dhe i sillnin natën derisa ngarkonim një barkë plot?

-Sa po flasim këtu, mos di ti që tash është duke u ngarkuar një barkë me armë?

Xherahu akoma nuk kishte kuptuar se çka ndodhi me Tokmakun, por frika nga dënimi e shtynte të tregonte krejt çka dinte, pra edhe ndonjë emër pashai, apo ndonjë oficeri më gradë më të ultë.

  • -Jo sot nuk ngarkohet barka, sepse ata shitësit e rruazave kishin filluar të frikësohen nga ndonjë zbulim i mundshëm, kishte folur Berberi me nofkën Xherahu. Sapo mbushim barkën, e nisim nëpër terr, por zakonisht kur ka hënë, sepse edhe në det të hapur na duhet pakëz dritë për orientim.
  • -Ke ti ndopak ari që nuk i ke treguar lartmadhërisë?-pyeti sulltani.

Një ligështim e kaploi Xherahun. I ra të fikët. Sulltani urdhëro zaptit që ta lagin me ujë për t’ia kthyer vetëdijen.

-Ky di edhe shumë. Ky xherahu di më shumë se berberi dhe fiton më tepër se çdo pasha i ushtrisë. Por këtë po e ndihmojnë pashallarët e korruptuar të ushtrisë të cilët shesin armët e perandorisë me çmime “aksham pazari” për një lirë, e dovleti blen çdo pushkë nga dhjetë lira ari . Shpresoj që ky të mos ketë bërë synet edhe ndonjë vezir timin?-foli me temsil sulltani.

Zaptia pasi ja kishin kthyer vetëdijen Xherahut, e sollën ashtu të lagur para sulltanit.

-Di ti ndoshta ndonjë emër veziri që ju ka shitur juve armë të ushtrisë?

– Nuk ja di emrin, por e njoh me pa me sy! Kur kemi dal nëpër shehër atë vezirin e kam parë me ju bashkë, por ai nuk me njeh mua fare.

– Dëgjoni seri! -foli plot pezëm Padishahu.

-Edhe veziri im që me bën temena kudo nëpër korridore, në rrugë apo në saraj, dhe me benë temena jo vetëm nga një herë por nga tri herë krejt me hile e benë. Në këso rrethanash kur të gjithë janë qua peshë kundër perandorisë, nëse nuk merren masa të duhura, e pat puna e dovletit.

-Kur e ke pa Tokmakun e pyeti Xherahun, vet sulltani.

-Prej asaj dite që erdhi të ju lartmadhëri, nuk e kam parë!

-Tash ik nga këtu, dhe shiko ku gjendet Tokmaku në sheshin kryesor. Ty të fali jetën pasi tregove për vezirin tim të dashur që me bënte temena tri herë pa ja nda sa herë që takoheshim në çdo rast. E kam ditur që ai është bir qeni.

Sulltani liroi xherahun vetëm për të këputur frikën e të tjerëve dhe për të ju dhënë shpresë se ndoshta Tokmaku do jetë i vetmi prej tyre që përfundoi në litar.

Kur të gjitha nivelet e shtetit korruptohen dhe kur humbet besimi ndaj tyre, më lehtë është transformimi i tyre në tërësi se sa dënimi i ndonjë individi që do merrej si shembull dhe që do të mbillte frikë. Po vetëm frika nuk mund e tubonte arin që kishin fituar nga kontrabanda dhe tregtia me çdo lloj mjeti.

Pasi shërbimit kryesor, Padishahu më nuk i besonte për asgjë, pasi numri i jeniçerëve ishte trefishuar pa qenë fare në asnjë luftë. Atë shërbim Padishahu tash për tash po e kryente me tregtarët “e imtë.” Meqenëse jeniçerët gëzonin shumë privilegje, me kalimin e viteve, pas aq shumë luftërash, numri i tyre ishte bërë i rrezikshëm për vet sulltanin, kështu qe ai po mendonte të shpërbënte fare atë gjini ushtarake.

Shitësi i salepit me nofkën Tellalli, e kishte radhën e ftesës nga Sulltani.

Tellalli sapo kishte dëgjuar si ka përfunduar në litar Tokmaku, ai kishte marr jetën vetës, duke mos pritur fare thirrjen.

Sa duket kishte ardhur koha e shpërbërjes njësive të jeniçerëve, ne mesin e të cilëve, sa kishte kuptuar vetë sulltani, kishte lëshuar vezë krimi, korrupsioni e tregtia kontrabanda.

Megjithëse ishte kurorëzuar rishtas, Sulltani-axhami, kishte lexuar e mësuar shumëçka nga e kaluara e Perandorisë. Kishte mësuar nga gabimet e mëdha të sulltanëve dhe përpiqej që vetë të mos binte në kurthe të ngjashme. Mbi të gjitha, nga dokumentet e shërbimit të evidencës së jeniçerëve kishte mësuar se vetë hyqymeti kishte lëshuar dokumente të falsifikuara shumë njerëzve që nuk e kishin parë kurrë frontin e luftës. Jeniçerët ishin bërë aq shumë sa kishin rrezikuar vetë Padishahun. Sulltani i ri kishte mësuar për organizimin e ri të ushtrive të reja Ai kishte vendosur ti heq qafe jeniçerët një herë e përgjithmonë.

Padishahu, i cili quhej akoma axhami, kishte caktuar edhe datën kur do të godiste me topa lagjet të tera jeniçerësh veteranë që kishin rrezikuar vetë perandorinë. Tjetër rrugë për ti hequr qafe nuk i kishte mbetur. Një ditë para agimit i kishte mbuluar me zjarre gjithë qendrat ku jetonin jeniçerët e gëzonin privilegjet e tyre të llojllojshme. Ushtria e re e Sulltani dukej sikur dogji gjysmën e kryeqytetit. Kush pati mundësi iku nga zjarri i topave, por një numër i madh i tyre ikën jo vetëm përbrenda perandorisë por edhe jashtë kufijve të saj. Padishahu kishte shpallur edhe fermanin për ndjekjen dhe arrestimin e dënimin e tyre për shumë vite në vazhdim.

InfoShqip