Kur Kastriot Imeri u shfaq në stërvitjen e parë te FC Thun verën e kaluar, me çantë Louis Vuitton dhe veshje të veçanta, u vërejt menjëherë kontrasti me imazhin e Thunit – një klub që krenohet me thjeshtësinë dhe “tokësoren” e Bernës.
Por në fund, ky transferim doli goditje në shenjë, pasi Imeri po e bën sezonin e tij më të mirë pas një kohe të gjatë, po luan rregullisht dhe ka pasur peshë të madhe në titullin sensacional të kampionit që e fitoi Thuni.
Menjëherë pas triumfit, Imeri i tha Blick: “Erdha për minuta dhe fitova shumë më tepër”.
Imeri, më shumë se “showman”
Gjatë festës së titullit, një intervistë e shkurtër e nxori në pah edhe anën tjetër të tij. Imeri nuk është vetëm futbollisti me stil ekstravagant dhe me prirje për skenë, por edhe një njeri i afërt dhe me zemër të madhe.
Kur gjatë bisedës iu afrua një tifoz i vogël, ai e mbajti përqafuar gjatë gjithë intervistës. Edhe pas ndeshjeve, shpesh është pikërisht Imeri ai që e shpreh më fort gëzimin për golat dhe asistimet e bashkëlojtarëve, duke e mbajtur të ndezur energjinë pozitive brenda grupit.
Shifrat e dëshmojnë ndikimin, vendimtar kur duhet
Te Thuni, Imeri duket se e ka gjetur sërish ritmin dhe besimin. Qysh në tetor, ai fliste me vetëbesim për objektiva të mëdha dhe nuk e përjashtonte titullin – diçka që më pas u vërtetua në fushë.
Statistikat e sezonit e tregojnë qartë rolin e tij. mesatarisht është i përfshirë në 0.8 gola për ndeshje (gol ose asist).
Ndërkohë, ai ka ndikim të madh edhe në ndërtimin e rasteve, sepse dërgon vazhdimisht pasime në zonën kundërshtare; te Thuni, vetëm Fabio Fehr ka më shumë pasime të tilla për 90 minuta.
Armë e fortë edhe te goditjet standarde, periudha e ringritjes
Një tjetër pikë ku Imeri ka qenë vendimtar janë goditjet e lira. Këtë sezon, pas ekzekutimeve të tij janë regjistruar katër aksione që përfunduan me goditje dhe katër herë ka ardhur goli.
Në tetor, ai e vendosi i vetëm një ndeshje të vështirë në Sion, duke shënuar direkt nga goditja e dënimit për fitoren 1-0.
Sezoni aktual, me 6 gola dhe 7 asistime, është një kthesë e madhe krahasuar me vitet e fundit te Young Boys, ku Imeri kaloi periudhë të vështirë.
Pas një fillimi të mirë (5 gola dhe 4 asistime), dëmtimet nisën ta pengonin vazhdimisht. Në një intervistë në shtator, ai e kishte pranuar hapur: “Isha në një pikë ku doja t’i hidhja të gjitha”.
Në atë periudhë ai kishte edhe probleme me shpinën – herë mungonte, herë aktivizohej vetëm për pak minuta. Por me kalimin e muajve, minutat iu rritën gradualisht dhe në ndeshjet vendimtare të mbylljes së sezonit, Imeri startoi katër herë radhazi, duke qenë pjesë e drejtpërdrejtë e sprintit për titull.
Pse funksionoi te Thuni? Besimi dhe Lustrinelli
Rreth Imerit thuhet shpesh se është lojtar që ka nevojë ta ndiejë besimin dhe rëndësinë e rolit të tij. Ai vetë nuk pranon ta përkufizojnë kështu.
“Të thuash se më duhet patjetër një ambient i mbrojtur që të jem i fortë në fushë? Nuk do ta konfirmoja kështu”, duke kujtuar se edhe te Servette, si i ri, priti gjatë për minutat, por nuk u dorëzua.
Megjithatë, një faktor i rëndësishëm nuk diskutohet, trajneri Mauro Lustrinelli. Ai ishte kyç në realizimin e transferimit nga YB te Thuni.
Të dy njihen edhe nga koha te përfaqësuesja zvicerane U21, ndërsa lidhja e tyre u përmend shpesh gjatë sezonit. Madje, kur u bë publike afrimi i Imerit, djemtë e Lustrinellit thuhet se e uruan babanë e tyre për këtë transferim.
Çfarë ndodh tani?
Thunit i kanë mbetur edhe tre ndeshje deri në fund të sezonit. Pastaj vjen pyetja e madhe e verës, Imeri është te Thuni në huazim nga Young Boys, por klubi ka opsion blerjeje, që sipas raportimeve shkon pak mbi 1 milion euro.
A do ta aktivizojë Thuni këtë opsion dhe a mund ta përballojë financiarisht, pritet të jetë një nga temat më të nxehta në javët në vijim. /Telegrafi/
