E diel, 03 Maj 2026
Lajme

Nga majat e botës te aksidenti fatal! Kush ishte manjati kinez që humbi jetën në Shqipëri

Image

Më 27 prill 2026, një aksident në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, i mori jetën një shtetasi kinez, ndërsa u plagosën gjashtë persona të tjerë.

Teksa fillimisht u raportua se ai ishte thjesht një turist, mediat kineze se bëhet fjalë për 60 vjeçarin Li Jianhong, president dhe kryetar i kompanisë “Xinjiang Grand Scape Group” dhe themelues i resortit të skive “Silkroad Mountain Resort” në Urumqi të Kinës.

Siç shkruajnë mediat e huaja, ai kishte ardhur në Shqipëri për një takim pune, i cili rezultoi fatal për të.

Automjeti i biznesmenit kinez u përplas me një tjetër automjet, me shofer një 26 vjeçar shqiptar, i cili më pas ra në pranga për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.

Li Jianhong, me një karrierë të gjatë në fushën e telekomunikacionit, turizmit dhe investimeve, e kishte kthyer kompaninë e tij në një grup të madh biznesi me aktivitet në disa sektorë dhe me mijëra punonjës.

Ai njihet edhe për projektet e tij të mëdha turistike, përfshirë themelimin e “Xinjiang International Grand Bazaar” në Urumqi dhe resortin e skive “Silkroad Mountain Resort”, një nga më të mëdhenjtë në Kinë.

Li ishte gjithashtu i njohur si sportist ekstrem dhe alpinist. Ai kishte përfunduar ngjitjen e shtatë majave më të larta në botë dhe kishte arritur në të dy polet e Tokës, duke u bërë një nga pak alpinistët kinezë që e kanë përfunduar këtë sfidë. Në vitin 2018 kishte ngjitur malin Everest dhe më pas K2, në vargmalin Karakoram, brenda një periudhe të shkurtër kohe.

Autoritetet shqiptare vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit.

InfoShqip