I katërti lider në vetëm pesë etapa. Është kaq shumë dinamike kjo Xhiro e Italisë e 2026-ës, dhe ja tani Fanelën Rozë e veshi pretendenti I radhës.
Ishte portugezi Alfonso Eulalio që la prapa të tjerët pas një gare tepër të vështirë, prej 203 kilometrash, dhe në kushte spartane atmosferike, me reshje shiu dhe erë të fortë.
Nisja ishte nga Praia a Mare deri në Potenca, ndërsa lideri i një dite më parë, italiani Xhulio Çikone, nuk pati asnjë shans për ta mbrojtur kryesimin.
Çiklisti I kaltër ka mbetur më shumë se 6 minuta larg vendit të parë. Etapa e pestë u vendos nga një duel dramatik mes udhëheqësit të ri të Xhiros dhe spanjollit Igor Arrieta, i cili arriti i pari në cak.
Incidentet ishin të shumta, me të dy çiklistët që u rrëzuan dhe zëvendësuan biçikletat. Gjithsesi, diferenca me ndjekësit ishte e madhe, dhe nuk u rrezikua asgjë. Në fund, drama arriti kulmin kur Arrieta ngatërroi rrugën dhe humbi mjaft kohë, por gjithsesi ia doli të rikthehej i fortë.
Spanjolli ishte shumë I fortë për portugezin dhe nuk pati problem ta linte prapa në sprintin përfundimtar. Ai fitoi etapën me kohën 5h07’51”. Alfonso Eulalio, ndërkaq, kryeson Xhiron me 2’51” më shumë sesa Arrieta, ndërsa italiani Skaroni është më shumë se 3 minuta e gjysmë prapa. Favoriti Vingegard është shumë larg, por besohet se ai mbetet numri 1 për të fituar këtë Xhiro.
