Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi sot se rreziku për popullatën e përgjithshme nga hantavirusi mbetet shumë i ulët, ndërsa vendet po përgatiten të riatdhesojnë pasagjerët e bllokuar në anijen turistike “MV Hondius”, ku shpërtheu sëmundja vdekjeprurëse.
Tre pasagjerë të anijes, një çift holandez dhe një grua gjermane, kanë humbur jetën, ndërsa disa persona të tjerë janë infektuar me virusin e rrallë që zakonisht transmetohet nga brejtësit.
Autoritetet konfirmuan se rastet pozitive lidhen me variantin “Andes”, i vetmi lloj hantavirusi që mund të transmetohet nga njeriu te njeriu.
Zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, tha se virusi nuk duket të përhapet lehtësisht mes njerëzve. Ai theksoi se në disa raste edhe personat që kanë ndarë kabinën me të infektuarit nuk janë sëmurur, gjë që sipas tij tregon se ngjitshmëria është e kufizuar.
OBSH-ja konfirmoi se një stjuardesë e kompanisë ajrore holandeze KLM, e cila kishte pasur kontakt me një pasagjere të infektuar dhe kishte shfaqur simptoma të lehta, rezultoi negative për hantavirusin.
“Ky është një lajm i mirë”, tha Lindmeier, duke shtuar se situata nuk i afrohet nivelit të përhapjes së Covid-19.
Anija “MV Hondius” pritet të mbërrijë të dielën në Tenerife, ku pasagjerët do të transferohen me mjete të posaçme drejt aeroportit për t’u kthyer në vendet e tyre.
Autoritetet spanjolle kanë bërë të ditur se anija nuk do të lejohet të ankorohet drejtpërdrejt në port.
