E premte, 08 Maj 2026
Lajme

Opozita kërkon largimin e Ramës, Berisha thirrje qytetarëve për pjesmarrje në protestë

WhatsApp Image 2026 05 08 At 12.47.22 1024x667 1 614x400

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ftoi qytetarët t’i bashkohen protestës së opozitës kundër qeverisë “Rama” sot në orën 19.00.

Në një konferencë me gazetarët Berisha deklaroi se protesta është e vetmja rrugë për përballjen me kryeministrin Edi Rama.

“Vala e protestave të opozitës nuk ndalet kurrë gjer në realizimin e qëllimit tonë. Shpallja jonë se jemi në kilometrin e fundit, shënon gjithashtu detyrimin tonë për ta përshkuar me çdo çmim dhe çdo kusht këtë kilometër gjer në fitore”, tha Berisha.

Berisha shfrytëzoi komunikimin me gazetarët për të dënuar edhe vendimin e Gjykatës së Lartë që ndryshoi masën e sigurisë për ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Kryetari i PD akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ushtruar  presion mbi gjyqtarët për lirimin e saj nga arresti shtëpiak.

“Edi Rama pasi mbylli çështjen Balluku, duke përdorur 83 votat e krimit, ia doli nëpërmjet Ilir Pandës, ish-ministrit socialist, të nxjerrë nga arresti shtëpiak një eksponent të grupit të strukturuar kriminal, të vlerësuar nga prokuroria speciale, vetëm e vetëm se ajo në çdo hap, në çdo veprim, në çdo akt ka zbatuar urdhrat, kërkesat e Lindës së Surrelit”, tha kreu i PD-së.

Protesta e sotme është protesta e 8 kombëtare që opozita zhvillon kundër qeverisë “Rama”.

Mësohet se në këtë tubim nuk do të ketë fjalime dhe protestuesit fillimisht do të mblidhen para godinës së kryeministrisë e më pas do të marshojnë drejt institucioneve shtetërore, ndaj të cilave opozita ka ngritur akuza për korrupsion apo për lidhje me krimin.

InfoShqip