
OVL e UÇK’së, ka njoftuar se i janë drejtuar me letër apeli, ambasadave të shteteve mike të Kosovës, ku bëhet thirrje për ‘’ruajtjen e besimit në drejtësinë në ndërkombëtare’’.
Në njoftimin e OVL’së, shtohet se, ata kanë shprehur shqetësimin lidhur me zvarritjet dhe zhvillimet e fundit në procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar që drejtësia ndërkombëtare të mbetet e paanshme, e drejtë dhe në përputhje me standardet universale të të drejtave të njeriut, përcjell Gazeta Express.
‘’Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së njofton opinionin publik se sot, zyrtarisht, u është drejtuar ambasadave mike në Kosovë me një letër apeli për ruajtjen e besimit në drejtësinë ndërkombëtare. Përmes kësaj letre, OVL UÇK kemi shprehur shqetësimin lidhur me zvarritjet dhe zhvillimet e fundit në procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar që drejtësia ndërkombëtare të mbetet e paanshme, e drejtë dhe në përputhje me standardet universale të të drejtave të njeriut. OVL UÇK vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të shteteve mike ndaj Kosovës dhe beson se ruajtja e besimit në drejtësi është jetike për paqen, stabilitetin dhe partneritetin ndërkombëtar’’, thuhet në postimin e OVL’së.
Në letrën e OVL, deklarohet se, argumentet juridike janë shtjelluar, dhe se, ajo që mbetet është pesha morale dhe institucionale e një vendimi, pasojat e të cilit shtrihen përtej individëve.
Tutje, deklarohet se, paqja dhe stabiliteti në Kosovë nuk mund të ndahen nga besimi i qytetarëve se drejtësia është e paanshme dhe e besueshme, dhe se, vendimi përfundimtar duhet ta forcojë besimin e jo ta dobësojë, ta ruajë stabilitetin e jo ta cenojë.
Letra e plotë:
I/E nderuar Ambasador,
Ndërsa Kosova pret vendimin përfundimtar që do ta merret nga Gjykata Speciale, u drejtohemi miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë në emër të mijëra veteranëve dhe qytetarëve, besimi e të cilëve e mbartim me përgjegjësi të plotë.
Argumentet juridike janë shtjelluar. Ajo që mbetet është pesha morale dhe institucionale e një vendimi, pasojat e të cilit shtrihen përtej individëve, duke prekur besueshmërinë e drejtësisë ndërkombëtare në vendin tonë.
Lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë. Ajo lindi nga domosdoshmëria, nga e drejta e një populli për të jetuar i lirë në tokën e tij. Kjo përpjekje nuk mund të thjeshtohet në një interpretim të ftohtë procedural. Ishte një përkushtim ndaj lirisë dhe dinjitetit njerëzor përballë shtypjes sistematike, një qëndrim për vlerat demokratike kur nuk kishte mbetur asnjë rrugë tjetër. Çdo përfundim që nuk e pasqyron me drejtësi këtë realitet historik rrezikon shtrembërimin e tij. Kjo thellon perceptimet e padrejta. Kjo lëndon ndërgjegjen qytetare të atyre që e përballuan atë epokë dhe e ngritën këtë shtet mbi atë që dhanë.
Mbetemi të bindur se akti përfundimtar do ta pasqyrojë me seriozitet të vërtetën historike. Paqja dhe stabiliteti në Kosovë nuk mund të ndahen nga besimi i qytetarëve se drejtësia është e paanshme dhe e besueshme. Kosova ka dëshmuar, vazhdimisht dhe pa rezerva, përkushtimin e saj ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përmbushjes së detyrimeve të veta.
Prandaj, vendimi përfundimtar duhet ta forcojë besimin e jo ta dobësojë, ta ruajë stabilitetin e jo ta cenojë. Ai duhet ta çojë përpara partneritetin mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare mbi bazën e respektit të ndërsjellë. Një vendim i tillë duhet të qëndrojë në harmoni me themelet e lirisë dhe shtetësisë sonë: të siguruara përmes sakrificës, të mbrojtura përmes besnikërisë ndaj interesit kombëtar, të mbajtura gjallë nga vendosmëria e një populli liridashës.
Me respekt, OVL UÇK.

The post OVL letër ambasadave pas shtyrjes së aktgjykimit nga Specialja: Vendimi ta forcojë besimin e ta ruajë stabilitetin appeared first on Gazeta Express.
