
TIRANË – Shtyhet seanca në Gjykatën Administrative për padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ndaj Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe prokurorit Ols Dado.
Seanca u shty pasi pala paditëse kërkoi kohë shtesë për t’u njohur me prapësimet dhe provat e paraqitura nga pala e paditur.
Gjatë seancës, avokati Plarent Ndreca ngriti pretendimin se përfaqësuesja e KLP-së nuk kishte tagrat e duhura për të bërë parashtrime, duke argumentuar se institucioni nuk i kishte deleguar kompetencat përkatëse.
Nga ana e saj, përfaqësuesja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë u shpreh se autorizimi ishte i rregullt dhe se ajo ushtron funksionet e përfaqësimit ligjor prej gjashtë vitesh, në bazë të tagrave të deleguara.
Gjykata vlerësoi se autorizimi është i rregullt dhe se juristët përfaqësojnë ligjërisht institucionin.
Në përfundim, gjykata vendosi shtyrjen e seancës për në datën 19 qershor, ora 14:00.
