E enjte, 14 Maj 2026
Lajme

Pak sigurime vullnetare të pronës: Shqipëria, vend me rrezik të lartë nga fatkeqësitë natyrore

WhatsApp Image 2026 05 14 At 2.57.27 PM 711x400

Po kërcënohemi gjithmonë e më shumë, por po mendojmë shumë pak për të parandaluar pasojat e fatkeqësive natyrore mbi pronën. Shqipëria mbetet e rrezikuar nga tërmetet dhe zjarre, ndërsa sigurimi vullnetar i banesave vijon të jetë shumë i ulët.

“Duke iu referuar vlerësimeve të Bankës Botërore, Shqipëria mbetet ndër vendet më të ekspozuara ndaj fatkeqësive natyrore në Europë, ku rreth 86% e territorit dhe mbi 88% e popullsisë janë të rrezikuara nga këto fenomene. Këtu sjell në vëmendje edhe koston e lartë të tërmetit të vitit 2019 për financat publike, e cila arriti në rreth 1 miliard euro”, tha Delina Ibrahimaj, m. inistre e Ekonomisë

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, përgjatë vitit të kaluar vetëm rreth 5% e totalit të banesave në vend ishin të siguruara, duke qenë ndjeshëm nën mesataren e vendeve të Bashkimit Europian.

“Sot, zjarret, tërmetet dhe fatkeqësi të tjera po kërcënojnë sigurinë ekonomike. Raportet ndërkombëtare tregojnë se zgjidhja vjen përmes bashkëpunimit institucional. Sigurimi i pronës duhet të rritet si pjesë e standardeve të Bashkimit Europian, ku AMF udhëheq kapitullin numër 9. Për Autoritetin, një treg i fortë sigurimesh tregon shumë për ekonominë dhe sigurinë financiare të vendit”, u shpreh Adela Xhemali, drejtore e AMF.

Kur ka pasur fatkeqësi natyrore, dëmi është mbuluar kryesisht nga arka e shtetit, donatorët apo kreditë nga jashtë, duke krijuar probleme për stabilitetin financiar të vendit.

“Këto rreziqe po kërcënojnë ekonominë tonë dhe stabilitetin ekonomik. Tërmeti i vitit 2019 ishte një shembull konkret, ku dëmi shkoi në 1.1 miliard dollarë. Zjarret dhe përmbytjet më pas sollën probleme të tjera”, deklaroi Milva Ekonomi kryetare e Komisionit të Ekonomisë

Një projektligj i sapo hartuar parashikon që qytetarët ta kenë të detyrueshëm sigurimin e pronës së tyre. Drafti aktualisht ndodhet në konsultim publik dhe po punohet me ekspertët e fushës për ta përafruar atë me standardet e Bashkimit Europian.

InfoShqip