
Nga Driton Fejzullahu
Mbrëmë isha në Shkup, në shfaqjen me të njejtin titull, në Teatrin Shqiptar të Shkupit. Pas zhgënjimit të madh që kam patur në Ferizaj, nga një shfaqje që ka dramatizuar jetën dhe veprën e veprimtarit të shquar Ukshin Hoti. Mbrëmë u ndjeva i përmbushur që veprimtaria e tij filozofike, patriotike dhe kombëtare morën një kthesë të lartë, jo vetëm historike por edhe artistike. Shfaqja e mbrëmshme, më bëri të reflektoj dhe të përjetoj emocione të thella. Të reflekoj në kuptimin se si ka mundur një qenie njerëzore të kapërcejë kufinj qenësor dhe të kalojë dimensione kohore?!
Ndërmjet Stanisllavskit dhe Brehtit

Nëse ndonjë spektator hyn në shfaqje, ai do të përballet me dy tipologji, atë të kërkesës apo parakushtit që aktori duhet të merret më shumë me psikologjinë që bartë personazhi që ai luan, dhe njëkohësisht të njësohet me të, pra të një kërkesë të tillë aktori Ylber Murtezi e ka përmbushur me përpikmëri. Ylber Muetezi, aktori që mishëronte Hotin nuk mbeti në sipërfaqe, përkundrazi ai sintetizoi modalitetet e kërkuara artistike, ai jo vetëm që përjetoi personazhin, por ai e barti atë në trup dhe në zë, duke e bërë të prekshme peshën e tij psikologjike, ideologjike dhe historike. Shfaqja nuk u mbyll vetëm në këtë dimension, ajo e theu atë nga brenda, duke e hapur drejt një dimensioni kritik, ku dialogu nuk ishte vetëm rrëfim, por edhe ide, ishte përplasje në histori. Pikërisht këtu shfaqja arrin një ekuilibër të rrallë që e bën spektatorin të ndiejë dhe njëkohësisht të mos dorëzohet ndaj ndjenjës, por të mendojë mbi përjetimin e aktorit dhe psesonazhit që ai paraqiste. Kurse sa i përket kërkesës brehtiane, po ashtu mund të them se është tejkaluar, sepse aktori që luante rolin e Ukshin Hotit, ishte personazh emancipativ në kontekstin historik por dhe në atë dialektik. Dialogjet përmbanin elemente psikoligjike ( Stanisllavki) si dhe dialogje me përmbajtje ideologjike, politike dhe historike ( Brehti).
Skena si simbolikë
Skena ishte regulluar aq bukur dhe me aq kuptim saqë më ka bërë të përjetoj dramën më thellë. Skena ishte e ndërtuar me një qartësi simbolike që nuk kishte nevojë për teprime. Hekurat nuk ishin vetëm një element skenik, ato mbartnin peshën e një historie të tërë shtypjeje jo vetëm të individit por të tërë popullit shqiptar. Prania e letrave solli më pranë dialogun mes Ismail Kadare dhe Ukshin Hotit, duke e zhvendosur dramën nga një hapësirë e mbyllur në një debat më të gjerë intelektual. Ndërsa hekurat e prerë nuk ishin thjesht shenjë çlirimi, por një ndërprerje e dyfishtë e fatit individual dhe kolektiv të popullit shqiptar.
Ismail Kadare përballë Ukshin Hotit

Po të shihet nga prespektive historiko-politike, Ukshin Hoti, paraqet një figurë përtej sizifiane. Në realitetin e atëhershëm politik, të zgjedhësh sakrificën si flijim dhe dorëzim, por sakrificën për refleksion të të gjithë popullit. Revolta politike e kombëtare e Hotit, ishte cytur nga “guri” i denimit dhe fatit të popullit shqiptar. Ukshin Hoti, kuptoi qartë fatin dhe kahjen politike ka po shkonte Kosova, dhe është momenti kur zhbëhet iluzioni politik, shpresa naive dhe sterile, në një vetëdije të pastër mbi mbarëvajtjen e popullit të tij. I vetëdijshëm mbi forcën dhe pushtetin represiv pse jo dhe radial, ai u bë simbol i një revolte jo si detyrim fajsie, por si qëllim madhor dhe detyrë të historisë kombëtare. Gjendjes së atëhershme i duhej një Ukshin, që të ngriste dhe shtynte peshën e “gurit” dhe kështu nuk dorzohet.
Regjisori, Naser Shatrolli, kishte përzgjedhur dialogjet më përmbajtësore të veprës “ Përtej hekurave” ku vlen të përmendet se kushtet e një bashkëbisedimi kanë qenë diametralisht të pabarabarta. Siç dihet, dhe siç është proklamuar, pse jo edhe interpretuar, Kadare, ( diktatori letrar) siç duket kishte një dëshirë të fshehur për të dominuar çdo debat, dhe njëkohësisht të imponojë idetë e tij të cilat në kontekst ishin goxha të kontaminuara nga mardhëniet në mes Kadaresë dhe pushtetit komunist. Kush e ka lexuar veprën, dhe kush e ka parë mbrëmë shfaqjen, e ka kuptuar që në disa aspekte kanë patur mospajtime, ku koha dhe historia i kanë dhënë të drejtë Ukshin Hotit. Siç është çështja me përmbajtjen fetare të popullësisë kosovare, e cila ua ka mohuar të drejtën e tyre për shtet dhe pavarësi. Pjesa mbi gjenealogjinë e popullit shqiptar, heshtjen kolektive, dhe që vlen të përmendet, pjesa se si një intelektual si Ukshin Hoti, zgjodhi revoltën, përjetoi burgun, në vend që të rrinte i heshtur në ngrohtësinë familjare.
Epilogu
Epilogu i dramës “Përtej hekurave” nuk kërkon të mbyllë asgjë. Ai nuk e shpall Ukshin Hotin si figurë të përfunduar, por si një çarje të fatit dhe një linje që vazhdon. Në këtë kuptim, çlirimi nuk paraqitet si akt i kryer, por si proces që mbetet i hapur. Dhe ndoshta këtu qëndron forca më e madhe e shfaqjes. Shfaqja nuk e monumentalizon figurën e Ukshinit, por e lë të gjallë në tensionin e historisë tonë kombëtare.
The post “Përtej hekurave” appeared first on Gazeta Express.
