Samiti “PowerToHR” ka nisur me energji të madhe, duke mbledhur në Kosovë profesionistë, liderë dhe ekspertë nga rajoni dhe më gjerë për të diskutuar të ardhmen e punës, inovacionit dhe teknologjisë.
Në këtë edicion, pjesëmarrja e përfaqësuesve nga kompani dhe organizata ndërkombëtare si Google, Microsoft, OpenAI, Zoom, Rakuten Viber dhe Amazon ka rritur profilin e samitit, duke e pozicionuar Kosovën si një pikë takimi globale për industrinë e burimeve njerëzore dhe teknologjisë.
Hapja e samitit u shënua me një fjalim inspirues nga Arion Rizaj, i cili vendosi tonin për dy ditë të mbushura me diskutime dinamike dhe ide të reja.
Samiti nisi gjithashtu me një fjalim kyç nga Fatos Ismaili mbi inteligjencën artificiale dhe transformimin e organizatave, ndërsa Vesna Mardanoviq solli një qasje praktike mbi kulturën organizative, duke e lidhur atë me veprimet e përditshme në ekipe.
Organizatorët theksuan rëndësinë e rrjetëzimit dhe përdorimit të aplikacionit zyrtar për të ndjekur agjendën dhe për të krijuar lidhje profesionale në kohë reale.
Gjatë ditës së parë, një panel i përbërë nga Uranik Begu, Muhamet Abdullahu dhe Blerta Thaçi trajtoi rolin në rritje të Ballkanit si një nga qendrat më premtuese të inovacionit në Evropë.
Ndërkohë, Ardian Hoxha ndau reflektime mbi rëndësinë e përvojave të hershme në karrierë dhe ndikimin e tyre në formimin e mendësisë dhe besimit profesional.
Sipas organizatorëve, pjesëmarrja e gjerë ndërkombëtare dhe temat aktuale e bëjnë këtë samit një platformë kyçe për shkëmbimin e ideve, krijimin e partneriteteve dhe zhvillimin e praktikave moderne në vendin e punës.
Gili Hoxhaj, përgjegjëse për PR dhe komunikim në Power to HR Summit 2026
Gili Hoxhaj, përgjegjëse për PR dhe komunikim në Power to HR Summit 2026 tha për Telegrafin se qëllimi i samiti është krijimi i partneriteteve të vazhdueshme.
“Çka e bënë të veçantë Samitin është sepse ne synojmë t’ia japim një eksperiencë të personalizuar secilit pjesëmarrës që ata të dëgjojnë gjatë ditës çka përputhet me interesat e tyre, kështu që presim që ata të marrin sa më shumë njohuri prej folësve të mrekullueshëm që i kemi zgjedhë dhe të krijojnë lidhje të reja, të krijojnë partneritete të vazhdueshme, pasi që kemi edhe një aplikacion i cili ndihmon në mënyrë automatike që të lidhen ata që janë të fushës së njëjtë, po edhe ata që i kanë fushat të përafërta që mund me ngrit karrierën e tyre në nivel më tutje”, tha Hoxhaj.
Uranik Begu, drejtor i “Plug and Play Tech Center” për Evropën Juglindore
Ndërsa drejtori i “Plug and Play Tech Center” për Evropën Juglindore, Uranik Begu u shpreh se Prishtina, Kosova ka nevojë për aktivitete të tilla, ku kompanitë punëkërkuesit, punëdhënësit takohen, bisedojnë për trendet, bisedojnë për zhvillimet e fundit, shto këtu sigurisht edhe inteligjencën artificiale.
“Unë e di që ata që krijojnë vende të punës, po edhe ata që kërkojnë vende të punës duhet me qenë shumë të vetëdijshëm mbi këto dinamika, për shkak se po vërejmë vit pas viti ndryshime. Si porosia e fundit për të rinjtë dhe të rejat që synojnë tregun e punës është që me qenë sy hapur m’i përcjell trendet, mos më pritë që dikush ua krijon vendin e punës mirëpo ata me kriju vendin e punës tyre”, u shpreh Begu.
Në një tjetër diskutim, Blenda Hoda, Lulzim Bucolli dhe Rron Rama analizuan sfidat e balancimit të pritshmërive të lidershipit me mbështetjen e ekipeve në situata presioni.
Fokusi në transformimin organizativ u theksua edhe nga Katrin Marx, e cila nënvizoi rëndësinë e të mësuarit si shtytës kyç për ndikim real në organizatat globale.
“PowerToHR” do të vazhdojë edhe nesër me sesione dhe diskutime të tjera, duke thelluar temat rreth lidershipit, inovacionit dhe kulturës së punës në një botë gjithnjë në ndryshim. /Telegrafi/
