Princ Harry dhe Meghan Markle po zhvillojnë një film artistik me metrazh të gjatë për Netflix, të bazuar në librin me kujtime nga lufta në Afganistan, me titull “No Way Out: The Short True Story of Men Under Siege”.
Sipas materialit, filmi do të prodhohet nga vetë Harry dhe Markle, së bashku me Tracy Ryerson, e cila është përgjegjëse për përmbajtjen skenarike në Archewell Productions.
Libri ndjek historinë e komandimit të majorit britanik Adam Jowett, i cili drejtonte Easy Company dhe Royal Irish Rangers, të ngarkuar për të mbajtur nën kontroll qendrën e distriktit Musa Qala në Afganistan, në korrik të vitit 2006.
Princi Harry dhe Meghan Markle (Foto: Getty Images)
Princi Harry vetë ka shërbyer për 10 vjet në ushtrinë britanike dhe ka qenë dy herë në Afganistan gjatë shërbimit të tij ushtarak.
Skenarin e filmit do ta shkruajë Matt Charman, skenarist i nominuar për Oscar për filmin “Bridge of Spies”.
Libri “No Way Out” është botuar në vitin 2019 nga Pan Macmillan. Gazetari i luftës Martin Bell i ka përshkruar këto kujtime si të shkruara “me gjallëri” dhe “shkëlqyeshëm”. Ndërkohë, libri mban edhe një vlerësim 4.6 nga 5 yje në Amazon.
Në mesin e projekteve të deritanishme të çiftit në produksion përmenden: “Heart of Invictus”, “Live to Lead”, “The Me You Can’t See” dhe “Stroop: Journey Into the Rhino Horn War”, si dhe projekte si “Cookie Queens”, “Masaka Kids, A Rhythm Within” dhe “Polo”.
Princi Harry dhe Meghan Markle (Foto: Getty Images)
Përveç “No Way Out”, në listën e projekteve të ardhshme përmenden edhe adaptimi i romanit “The Wedding Date” nga autorja Jasmine Guillory, si dhe adaptimi i romanit “Meet Me at the Lake” nga Carley Fortune.
Revista Variety kishte raportuar në mars se Harry dhe Markle kishin pasur mospajtime me Netflix, pasi nuk kishin arritur të prodhonin përmbajtje mjaftueshëm të suksesshme për platformën. Sipas artikullit, “No Way Out” është pjesë e marrëveshjes “first-look” të Archewell me Netflix, e cila vazhdon pas përfundimit të kontratës së tyre të mëparshme. /Telegrafi/
