E diel, 03 Maj 2026
Lajme

Pse Mikel Arteta e largoi nga ndeshja Bukayo Sakan pas pjesës së parë?

GettyImages 2274176622.jpg

Mikel Arteta ka zbuluar se zëvendësimi i Bukayo Sakas në pushimin e pjesës së parë gjatë fitores 3-0 të Arsenalit ndaj Fulhamit ishte një vendim strategjik për të menaxhuar ngarkesën fizike të lojtarit.

Reprezentuesi anglez festoi ndeshjen e tij të 200-të si titullar në Premierligë me një gol dhe një asist, duke ndihmuar Arsenalin të shkëputet me gjashtë pikë në krye të tabelës.

Në “Emirates”, “Topçinjtë” dominuan që në pjesën e parë, ku Saka asistoi për golin e parë të Viktor Gyökeresit, përpara se të shënonte vetë për 2-0.

Gyökeresi realizoi edhe golin e dytë personal në kohën shtesë për rezultatin përfundimtar 3-0.

Megjithatë, pavarësisht ndikimit të madh në lojë, Arteta vendosi ta largojë Sakan në pushim për të shmangur rrezikun pas rikthimit nga një dëmtim në tendinin e Akilit.

“Duhej ta bënim këtë. Ai luajti rreth 30 minuta në Madrid, tani 45 minuta këtu. Duhet të rrisim gradualisht ngarkesën, por duhet të jemi të kujdesshëm sepse na duhet në fushë,” u shpreh trajneri.

Arteta shtoi se dhimbjet nga dëmtimi janë zhdukur dhe se Saka tani ndihet më i lirë në lëvizje.

“Mendoj se dhimbja është larguar dhe kjo e kufizonte më parë. Sot ai u ndje i lirë, i relaksuar dhe mendoj se kemi rikthyer Bukayon që na duhet”, shtoi ai.

Rikthimi i Sakas vjen në një moment vendimtar të sezonit, duke i dhënë skuadrës një shtysë kreative në garën për titull dhe objektivat evropiane.

“Ai bëri diferencën. Dy aksione të tij vendosën ndeshjen. Është kthyer në momentin më të rëndësishëm të sezonit, është i freskët fizikisht dhe mendërisht, dhe ka uri maksimale. Kishte nevojë për një paraqitje të tillë për të ndihmuar ekipin”, tha Arteta./GazetaExpress/

The post Pse Mikel Arteta e largoi nga ndeshja Bukayo Sakan pas pjesës së parë? appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip