Arsenali dhe Paris Saint-Germain do të përballen në finalen e Ligës së Kampionëve më 30 maj në Budapest, pasi siguruan biletën për ndeshjen më të madhe të futbollit evropian.
Parisienët eliminuan Bayern Munichun në gjysmëfinale, ndërsa Arsenali triumfoi ndaj Atletico Madrid për të siguruar finalen e madhe.
Megjithatë, ajo që ka tërhequr vëmendje të madhe është ndryshimi i orarit të finales së këtij edicioni. Për herë të parë pas shumë vitesh, finalja nuk do të nisë në orën tradicionale 21:00, por në 18:00.
Sipas UEFA, vendimi është marrë për të përmirësuar përvojën e tifozëve dhe për ta bërë ndeshjen më të qasshme për audiencën ndërkombëtare dhe shikuesit më të rinj.
“Finalja e Ligës së Kampionëve është kulmi i sezonit të futbollit dhe orari i ri do ta bëjë atë edhe më të arritshme, gjithëpërfshirëse dhe me më shumë ndikim për të gjithë”, deklaroi presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin.
Sipas Ceferin, një fillim më i hershëm i ndeshjes do t’u mundësojë tifozëve të shijojnë më shumë atmosferën dhe pjesën tjetër të mbrëmjes pas finales.
Finalja do të zhvillohet në Puskas Arena, stadium modern me kapacitet prej rreth 68 mijë spektatorësh, i cili konsiderohet një nga arenat më mbresëlënëse në Evropë./Telegrafi/
