E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

PSG-ja e rekordeve, u bë skuadra e parë franceze që shkon tri herë në finale të Championsit

FAF

Paris Saint-Germain vazhdon ta shkruajë historinë në futbollin evropian.

Pas kualifikimit dramatik ndaj Bayern Munichut, skuadra franceze e siguroi finalen e tretë në historinë e saj në Champions League, duke u bërë klubi i parë francez që e arrin këtë shifër në kompeticionin më prestigjioz europian për klube.

Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique barazoi 1-1 në “Allianz Arena”, rezultat që i mjaftoi për të kaluar më tej falë fitores spektakolare 5-4 në ndeshjen e parë.

Në finalen e 30 majit në Budapest, PSG do të përballet me Arsenalin, shkruan “Gazeta Express”.

Kjo do të jetë finalja e tretë e Champions për parisienët pas asaj të vitit 2020, të humbur nga Bayern Munich, dhe triumfit historik të vitit 2025 kundër Interit, kur klubi francez fitoi për herë të parë trofeun më të rëndësishëm evropian.

Përveç rekordit si klubi i parë francez me tri finale të Championsit, PSG-ja e ka arritur edhe një tjetër statistikë të rëndësishme: është skuadra e parë që rikthehet në dy finale radhazi të Champions League që nga Liverpooli në vitet 2018 dhe 2019.

Tashmë objektivi i madh i Luis Enriques dhe lojtarëve të tij është ta realizojnë “bisin” evropian dhe ta mbrojnë trofeun e fituar sezonin e kaluar.

Nëse PSG-ja triumfon edhe në Budapest, do të bëhej skuadra e parë që e fiton Champions League dy herë radhazi që nga epoka dominuese e Real Madridit mes viteve 2016 dhe 2018.

Presidenti Nasser Al-Khelaifi e ka cilësuar këtë PSG si skuadrën më të fortë në historinë e klubit, ndërsa atmosfera në Paris është elektrizuese pas një tjetër sezoni evropian të jashtëzakonshëm.

Projekti i ndërtuar nga Luis Enrique duket se e ka transformuar totalisht ekipin, duke kaluar nga epoka e superyllëve individualë te një skuadër më kompakte dhe kolektive. /Gazeta Express

The post PSG-ja e rekordeve, u bë skuadra e parë franceze që shkon tri herë në finale të Championsit appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip