E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Qeveria ndryshon skemën e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit, Malaj: Pagesa më të shpejta dhe shlyerje brenda 5 viteve

Capture 19 627x400

Qeveria ka miratuar ndryshime të reja në skemën e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, në një njoftim për mediat tha se ndryshimet parashikojnë heqjen e dëmshpërblimit me tetë këste të barabarta, duke vendosur që për pagesat deri në 1 milion lekë, shuma të likuidohet e plotë në këstin e radhës.

Sipas Malajt, përmes këtyre ndryshimeve synohet që brenda 4 deri në 5 vite të përfundojë shlyerja e rreth 6,000 dosjeve nga 10,360 që janë në total.

Një tjetër risi lidhet me përshpejtimin e procedurave. Koha e pritjes ndërmjet kësteve, e cila aktualisht varion nga 3.5 deri në 4 vite, pritet të reduktohet në 2 deri në 2.5 vite me rregullat e reja.

Ministri theksoi se këto ndryshime synojnë jo vetëm rritjen e efikasitetit të pagesave, por edhe përmbushjen e një detyrimi moral që shteti ka ndaj ish-të përndjekurve politikë dhe familjarëve të tyre.

Petrit Malaj, ministër i Financave: Në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratua një ndryshim në VKM-në 419, i cili lidhet me dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë sipas propozimit të kësaj ministrie. Ndryshimet konsistojnë në heqjen e dëmshpërblimit me tetë këste të barabarta, duke vendosur që për të gjitha ato pagesa të cilat janë në vlerën deri në 1 milion lekë, pagesa do të bëhet e plotë me këstin e radhës. Përmes këtyre ndryshimeve, Ministria e Financave parashikon që brenda katër apo pesë viteve të bëhet shlyerja e plotë e 6,000 dosjeve nga 10,360 që janë gjithsej në total. Një tjetër avantazh i rëndësishëm lidhet me shpejtësinë e procesimit, ku koha e pagesave ndërmjet kësteve, e cila aktualisht varion nga 3.5 deri në 4 vite, me rregullat e reja do të shkurtohet nga 2 deri në 2.5 vjet. Kjo rritje e shpejtësisë kërkon edhe shtimin e fondit të dëmshpërblimit, i cili për vitin 2026 është planifikuar në masën 1.5 miliard lekë ose rreth 15 milionë euro. Sipas përfaqësuesit, këto ndryshime do të rrisin efiçencën e pagesave dhe do të shërbejnë për të përmbushur detyrimin moral që shteti ka ndaj kësaj kategorie dhe familjarëve të tyre.

/vizionplus.tv

InfoShqip