Një vit pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, sondazhi “Zëri i Shqiptarëve” në ABC News sjell një radiografi të thelluar të elektoratit shqiptar, duke zbuluar jo vetëm sivotojnë qytetarët, por edhe pse një pjesë e tyre zgjedh të mos votojnë.
Të dhënat tregojnë se baza elektorale e dy partive kryesore mbetet fort ideologjike. Plot 91.5% e votave të Partisë Socialiste vijnë nga votues të majtë, ndërsa po e njëjta përqindje, 91.5% e votave të Partisë Demokratike, vijnë nga votues të djathtë.
Megjithatë, një ndryshim i lehtë vihet re nga zgjedhjet. Partia Socialiste arrin të tërheqë më shumë vota nga krahu i djathtë, 1.5%, krahasuar me PD-në, e cila merr vetëm 0.8% vota nga e majta.
Por çarja më e madhe ndodh brenda vetë së djathtës. Plot 24% e votuesve të djathtë zgjedhin një parti tjetër ose nuk votojnë fare, ndërsa kjo ndodh vetëm me 13.1% të votuesve të majtë.
Edhe elektorati gri rezulton i fragmentuar. Vetëm 7.7% e tij voton për PS dhe 7.1% për PD, ndërsa shumica dërrmuese, 63%, zgjedh të votojë parti të reja ose të mos votojë fare.
Në analizën historike, rezulton se vetëm 37% e votuesve të PS-së vijnë nga familje komuniste, ndërsa 49% janë familje asnjanëse në kohën e regjimit.
Nga ana tjetër, 51% e votuesve të PD-së janë ish-të përndjekur politikë, ndërsa 42% vijnë nga familje asnjënëse.
Ndërkohë, 13% e ish-të përndjekurve votojnë PS, ndërsa 7% e familjeve komuniste votojnë PD.
Por edhe këtu ndarja më e fortë mbetet te e djathta: plot 34% e ish-të përndjekurve refuzojnë PD-në, duke zgjedhur alternativa të tjera ose duke mos votuar fare.
Çështja e pronës vijon të mbetet një plagë e hapur. Ata që kanë përfituar plotësisht nga pronat ndahen mes PS dhe PD me nga 19% secila.
Ndërsa ata që nuk kanë përfituar, për shkak të ligjit 7501, shpërndahen në 26% për PS, 30% për PD, dhe një shumicë prej 44% që nuk votojnë ose zgjedhin parti të reja.
Sa i përket perceptimit për politikat sociale, ndarjet janë thuajse absolute. Në PS, 96% besojnë se e majta ka bërë më shumë për shtresën e varfër dhe të mesme, ndërsa në PD, 95% mendojnë se këtë rol e ka luajtur e djathta.
Për shtresën e pasur, perceptimi përmbyset. Në PS, 56% mendojnë se e djathta u ka shërbyer më shumë të pasurve, ndërsa në PD, 57% mendojnë se këtë e ka bërë e majta.
Në aspektin ekonomik, rezulton se shumica e votuesve të PD-së vijnë nga shtresa e varfër, 55%, ndërsa për PS kjo shifër është 53%.
Shtresa e mesme në masë 40% zgjedh të mos votojë ose të votojë parti të reja, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes PS dhe PD me nga 35% secila.
Edhe shtresa e pasur tregon prirje drejt alternativave të reja, me 12%, ndërsa mes dy partive tradicionale preferon më shumë PS, 11.5%, krahasuar me 9.7% për PD-në.
Në nivel arsimor, PD është më e fortë tek qytetarët me arsim të ulët dhe të mesëm, ndërsa PS dominon tek ata me arsim të lartë, me një diferencë prej 13%.
Ndarja vijon edhe në aspektin gjeografik. PD mbetet më e fortë në zonat rurale, ndërsa PS dominon në qytete, ku merr 66% të votave, kundrejt 34% në zonat rurale.
Edhe mosha sjell diferenca. Të rinjtë preferojnë më shumë të mos votojnë ose të zgjedhin parti të reja. Mes PS dhe PD, ata zgjedhin lehtësisht PS-në, me një diferencë minimale.
Mosha e mesme voton PS me 50%, kundrejt 46% për PD-në, ndërsa pensionistët preferojnë PD-në me një diferencë prej 5%.
Diferenca më e dukshme shfaqet tek gjinia. Partia Socialiste rezulton të votohet më shumë nga gratë, me 54%, ndërsa Partia Demokratike mbetet kryesisht një parti me mbështetje më të fortë nga meshkujt.
Por sinjali më i fortë për partitë e mëdha qëndron tek rënia e mbështetjes. Nëse PS 1 vit më parë mori 53% te votave, sot pro saj deklarohen vetëm 40%. Por rënia e PS, nuk përkthehet në rritje për PD. Partia e drejtuar nga Sali Berisha ka një rënie të ndjeshme nga 34% ne 26%.
Edhe një here konfirmohet se PD nuk është me parti e dytë, por e tretë. Vendin ia ka marre një 34%, që sot deklarohet se voton një parti tjetër ose nuk voton fare, me shpresën se një ditë do të linde një parti e re.
