E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Robin Hood kundër establishmentit

Kevin

Tridhjetë e pesë vjet më parë, dy filma për legjendën e Robin Hood-it dolën pothuajse njëkohësisht në kinema. Njëri ishte superproduksioni i Kevin Costner, Robin Hood: Prince of Thieves, i cili fitoi garën në arkë.

Tjetri, më modest dhe më britanik në frymë, mbante thjesht titullin Robin Hood, me regji të John Irvin dhe me Patrick Bergin në rolin kryesor, përkrah Uma Thurman si Maid Marian.

Regjisori John Irvin, sot 85 vjeç, thotë se filmi i tij kishte një qëllim të qartë: të sfidonte versionin e madh amerikan të Costner-it. Sipas tij, studioja donte ta nxirrte filmin sa më shpejt, përpara se rivali hollywoodian të dominonte tregun.

Ironikisht, filmi i Irvin ndoshta nuk do të ishte realizuar fare pa projektin e Costner-it. Para se të bëhej drejtues i 20th Century Fox në vitin 1989, producenti Joe Roth kishte zhvilluar një film për Robin Hood-in. Kur projekti kaloi te Warner Bros dhe u kthye në Prince of Thieves, Roth miratoi shpejt një version rival, duke ia besuar regjinë Irvin-it, i njohur për miniserialin Tinker Tailor Soldier Spy.

Xhirimet zgjatën tre muaj dhe nisën në tetor 1990. Ato u zhvilluan në Peckforton Castle në Cheshire, në miniera kripe pranë zonës dhe në peizazhet e gjelbra të Gwynedd në Uellsin verior. Por kushtet nuk ishin aspak të lehta. Irvin kujton se ishte ftohtë, lagësht dhe dimër, çka e bënte të vështirë krijimin e imazhit klasik të “Anglisë së gëzuar” të Robin Hood-it.

Pikërisht për këtë arsye, minierat e kripës u kthyen në një zgjidhje të rëndësishme vizuale. Sipas regjisorit, ato ndihmuan për të krijuar një version më të ashpër dhe më realist të Mesjetës. Ai thotë se filmi kishte edhe një nëntekst politik, të lidhur me Britaninë e kohës së Margaret Thatcher-it dhe protestat kundër taksës së njohur si poll tax.

“Ekziston një rrymë e nënkuptuar anti-Thatcher në film”, shprehet Irvin, duke shtuar se synimi ishte që mesazhi të mos ishte i drejtpërdrejtë, por i nuancuar.

Në film, Robin Hood i Patrick Bergin sfidon sundimin norman në Anglinë e shekullit XII. Përballë tij janë personazhet e interpretuara nga Jeroen Krabbé dhe Jürgen Prochnow, ndërsa ky i fundit konkurron me Robin-in edhe për dashurinë e Maid Marian, të luajtur nga Uma Thurman.

Roli kryesor ishte fizikisht i vështirë për Bergin, i cili gjatë xhirimeve vuante nga koliti kronik. Irvin tregon se aktori ishte aq i sëmurë, sa shpesh duhej të përdornin dublantë, ndërsa gjendja e tij u mbajt e fshehtë nga studioja për arsye sigurimi. Megjithatë, regjisori vlerëson se Bergin dha një interpretim të fortë dhe shpreh habinë që ai nuk u shndërrua më pas në një emër edhe më të madh të kinemasë.

Uma Thurman ishte vetëm 20 vjeçe në atë kohë dhe njihej kryesisht për rolin në Dangerous Liaisons. Irvin thotë se ajo ishte zgjedhje ideale për Maid Marian-in. Në atë periudhë, Thurman sapo ishte martuar me Gary Oldman, i cili, sipas regjisorit, qëndronte shpesh në prapaskenë gjatë xhirimeve.

Robin Hood u shfaq në kinema ndërkombëtarisht, ndërsa në SHBA u transmetua si film televiziv treorësh në maj 1991. Kritikat ishin kryesisht pozitive, por suksesi i versionit të Kevin Costner-it, i publikuar pak javë më vonë, e la në hije.

Filmi i Costner-it arkëtoi gati 400 milionë dollarë në mbarë botën dhe u kthye në një nga hitet më të mëdha të atij viti. Irvin kujton se një drejtues i Warner Bros i kishte thënë më vonë: “Ju morët kritikat, ne morëm publikun.”

Megjithatë, regjisori beson se filmi i tij i ka rezistuar kohës. Sipas tij, historia e Robin Hood-it mbetet e rrënjosur në imagjinatën kombëtare britanike: në kohë shtypjeje, publiku ka nevojë për një figurë që sfidon pushtetin dhe mbron të dobëtit. /GazetaExpress/

The post Robin Hood kundër establishmentit appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip