Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) i është drejtuar kryeministrit dhe ministrive përgjegjëse me kërkesë urgjente për sigurimin e financimit emergjent dhe zgjidhjeve afatgjata për funksionimin e pandërprerë të strehimoreve për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Përmes kësaj letre RrGK bën të ditur se në Policinë e Kosovës janë raportuar 718 raste të dhunës në familje.
Sipas tyre në mbi 80% të rasteve, viktima të dhunës janë gratë dhe fëmijët e tyre.
“Që nga paslufta, strehimoret për mbrojtje nga dhuna në familje kanë ofruar strehim dhe mbështetje jetike për këto gra dhe fëmijë, duke qenë ndër mekanizmat kryesorë të mbrojtjes dhe rehabilitimit në vend, Sot, ndërsa po ju drejtohemi me këtë letër, funksionimi i këtyre strehimoreve po vihet seriozisht në rrezik për shkak të mungesës së mbështetjes financiare. Si pasojë, gratë dhe fëmijët që përjetojnë dhunë po mbesin të ekspozuar ndaj pasigurisë dhe rrezikut, ndërkohë që shteti rrezikon të dështojë në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore për të garantuar jetën me dinjitet, siguri dhe pa frikë për çdo qytetar”, thuhet në letrën e RrGK-së.
Më poshtë lexoni letrën e plotë të RrGK-së:
Po ju drejtohemi në emër të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), një rrjet multietnik prej 103 organizatash për të drejtat e grave në mbarë Kosovën, që përfaqëson interesat e më shumë se 10,000 grave dhe që vetëm gjatë vitit 2025 ka kontribuar në avancimin e të drejtave të mbi 150,000 përfituesve.
Vetëm gjatë periudhës janar – mars 2026, në Policinë e Kosovës janë raportuar 718 raste të dhunës në familje. Në mbi 80% të rasteve, viktima të dhunës janë gratë dhe fëmijët e tyre. Që nga paslufta, strehimoret për mbrojtje nga dhuna në familje kanë ofruar strehim dhe mbështetje jetike për këto gra dhe fëmijë, duke qenë ndër mekanizmat kryesorë të mbrojtjes dhe rehabilitimit në vend.
Sot, ndërsa po ju drejtohemi me këtë letër, funksionimi i këtyre strehimoreve po vihet seriozisht në rrezik për shkak të mungesës së mbështetjes financiare. Si pasojë, gratë dhe fëmijët që përjetojnë dhunë po mbesin të ekspozuar ndaj pasigurisë dhe rrezikut, ndërkohë që shteti rrezikon të dështojë në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore për të garantuar jetën me dinjitet, siguri dhe pa frikë për çdo qytetar.
Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare ka hapur gjatë muajit prill thirrjen publike për mbështetje financiare të projekteve të OJQ-ve të licencuara në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare. Megjithatë, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e procedurave të vlerësimit dhe disbursimit të fondeve, ekziston një boshllëk kritik financiar gjatë muajit maj, periudhë gjatë së cilës strehimoret rrezikojnë të mbesin pa mjete për mbulimin e shpenzimeve operative dhe pagave të stafit.
Kjo situatë rrezikon drejtpërdrejt vazhdimësinë e shërbimeve jetike që këto strehimore ofrojnë, duke lënë viktimat e dhunës pa strehim, mbrojtje dhe mbështetje pikërisht në momentin kur ato janë më së shumti në nevojë. Ndërprerja e këtyre shërbimeve do të kishte pasoja të rënda për sigurinë dhe mirëqenien e viktimave, si dhe do të cenonte përpjekjet institucionale për luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Duke pasur parasysh se Qeveria e Kosovës ka theksuar vazhdimisht prioritetin për luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe përmirësimin e shërbimeve sociale, konsiderojmë se ndërhyrja e menjëhershme institucionale është e domosdoshme për të shmangur këtë situatë alarmante.
Prandaj, kërkojmë nga institucionet përkatëse:
Të sigurojnë një zgjidhje emergjente financiare për mbulimin e shpenzimeve të strehimoreve gjatë muajit maj 2026;
Të krijojnë një mekanizëm të përkohshëm (si p.sh. fond emergjent) për adresimin e boshllëqeve financiare gjatë periudhave tranzitore;
Të ndërmarrin hapa konkretë drejt krijimit të një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjate për financimin e strehimoreve, përfshirë kontraktimin shumëvjeçar të shërbimeve sociale.
Theksojmë se sigurimi i funksionimit të pandërprerë të strehimoreve nuk është vetëm obligim institucional, por edhe përgjegjësi morale dhe ligjore ndaj qytetarëve më të cenueshëm të vendit.
Rrjeti i Grave të Kosovës ka avokuar vazhdimisht për krijimin e një linje të veçantë buxhetore për shërbimet e strehimit të viktimave të dhunës me bazë gjinore dhe trafikimit me qenie njerëzore, e cila tashmë është përfshirë në Ligjin për Buxhet që nga viti 2018. Megjithatë, tani është koha që Qeveria e Kosovës të avancojë drejt një modeli të qëndrueshëm të financimit përmes kontraktimit trevjeçar të shërbimeve sociale të ofruara nga strehimoret — një rekomandim që RrGK e ka adresuar prej vitesh ndaj institucioneve përgjegjëse.
