
Zyra Kombëtare e Statistikave në Britani ka publikuar një kalkulator të ri që tregon jetëgjatësinë mesatare të pritshme, bazuar në moshën dhe gjininë e përdoruesit.
Mjeti kërkon vetëm moshën aktuale dhe gjininë, më pas llogarit jetëgjatësinë mesatare, si dhe mundësinë që një person të jetojë deri në 68, 90 apo 100 vjeç.
Publikimi vjen pas të dhënave të reja që tregojnë se rreth një në katër vajza dhe një në pesë djem të lindur në Britani në vitin 2049 pritet të jetojnë të paktën deri në moshën 100-vjeçare.
Sipas ONS, 19.1 për qind e vajzave dhe 12 për qind e djemve të lindur në vitin 2024 pritet të arrijnë moshën 100 vjeç. Këto shifra parashikohet të rriten në 26.3 për qind për vajzat dhe 18.3 për qind për djemtë e lindur në vitin 2049. Deri në vitin 2074, pritet që 33.9 për qind e vajzave dhe 25.4 për qind e djemve të lindur atë vit të jetojnë 100 vjet ose më shumë.
Të dhënat janë modeluar mbi trendet e mëparshme të regjistrimeve vjetore të vdekjeve dhe janë kombinuar me vlerësimet e një paneli ekspertësh.
Sipas parashikimeve, vajzat e lindura në Britani në vitin 2024 pritet të jetojnë mesatarisht deri në 90.2 vjeç, ndërsa djemtë e lindur në të njëjtin vit deri në 86.9 vjeç.
Në vitin 2049, jetëgjatësia mesatare pritet të rritet në 92.4 vjeç për vajzat dhe 89.6 vjeç për djemtë. Kjo përfaqëson një rritje prej 2.2 vitesh për vajzat dhe 2.6 vitesh për djemtë krahasuar me vitin 2024.
Shifrat e reja tregojnë gjithashtu se hendeku i jetëgjatësisë mes grave dhe burrave në Britani po ngushtohet. Në vitin 1981, diferenca ishte 4.4 vite. Në vitin 2024, ajo ra në 3.3 vite, ndërsa në vitin 2029 parashikohet të bjerë më tej në 2.9 vite.
Sipas të dhënave, gratë që ishin 65 vjeç në Britani në vitin 2024 mund të presin të jetojnë mesatarisht edhe 22.7 vite të tjera, ndërsa burrat e së njëjtës moshë edhe rreth 20 vite.

ONS thekson se të dhënat bazohen në të ashtuquajturën jetëgjatësi të “kohortës”, e cila merr parasysh ndryshimet e ardhshme të parashikuara në modelet e vdekshmërisë për njerëzit e lindur në të njëjtin vit.
Sipas institucionit, kjo konsiderohet një matje më realiste, sepse llogarit përmirësimet e mundshme të vdekshmërisë gjatë jetës së një grupi të caktuar njerëzish.
Lajmi vjen pak kohë pasi studiuesit identifikuan edhe modelet ushqimore që mund të ndihmojnë në jetëgjatësi më të madhe. Një analizë me më shumë se 100 mijë persona në Britani sugjeroi se gratë mund të përfitojnë më shumë nga “Dieta Alternative Mesdhetare”, ndërsa burrat nga “Dieta për Uljen e Rrezikut të Diabetit”.
Të dyja kanë elemente të përbashkëta, si konsumimi më i madh i frutave, perimeve dhe yndyrnave të shëndetshme, si dhe shmangia e mishrave të përpunuar.
Megjithatë, ka edhe dallime. Për gratë, studimi sugjeron rëndësi më të madhe të drithërave të plota, si quinoa, orizi kaf dhe tërshëra. Ndërsa për burrat, më e rëndësishme duket të jetë pirja e kafesë dhe shmangia e pijeve me sheqer.
Studiuesit, të cilët i publikuan gjetjet në revistën “Science Advances”, thanë se zbuluan një lidhje të rëndësishme mes modeleve të shëndetshme ushqimore dhe jetëgjatësisë më të madhe.
Sipas tyre, respektimi i rekomandimeve të shëndetshme ushqimore mund të ndihmojë në zgjatjen e jetës, duke u lënë njerëzve hapësirë t’i përshtatin këto modele sipas preferencave dhe traditave të tyre. /GazetaExpress/
The post Sa gjatë mund të jetojmë appeared first on Gazeta Express.
