Sasia më e madhe nuk e rrit efektin e produktit, përkundrazi, mund ta rëndojë lëkurën dhe ta bëjë rutinën më pak efektive
Nëse keni një rutinë të rregullt të kujdesit për lëkurën dhe çdo ditë përdorni produkte si krem hidratues, serum, krem me faktor mbrojtës, vaj për fytyrën apo krem për zonën rreth syve, me siguri ndonjëherë keni pyetur veten nëse po vendosni sasinë e duhur.
Shumë njerëz mendojnë se produkti do të veprojë më mirë nëse vendoset në sasi më të madhe, por në të vërtetë nuk është kështu. Përkundrazi, sasia e tepërt mund ta rëndojë lëkurën, ta bëjë më të yndyrshme ose ta pengojë përthithjen e produkteve të tjera.
Ja cilat sasi konsiderohen të mjaftueshme që produktet të kryejnë funksionin e tyre.
Pastruesi i fytyrës
Fytyra, në krahasim me trupin, është sipërfaqe shumë më e vogël e lëkurës, prandaj nuk ka nevojë të mbingarkohet me produkt. Sasia e madhe nuk e rrit efektin e pastrimit.
Nëse përdorni pastrues me pompë, një shtypje e pompës zakonisht është e mjaftueshme. Nëse jo, mjafton një sasi sa madhësia e një monedhe në pëllëmbë. Kur përzihet me ujë, pastruesi zakonisht shkumëzon dhe krijon sasi të mjaftueshme për pastrimin e plotë të fytyrës.
Toniku për fytyrën
Ndonjëherë është e vështirë të përcaktohet sasia e saktë e tonikut që duhet përdorur. Në një pambuk pastrues vendosni disa pika, aq sa të laget lehtë, por jo të jetë i mbingarkuar me lëng.
Serumi
Një sasi e vogël serumi është e mjaftueshme për të mbuluar një sipërfaqe më të madhe të lëkurës. Dermatologët këshillojnë që, përveç fytyrës, të mos harrohen edhe qafa dhe dekolteja.
Edhe këtu mjaftojnë disa pika, zakonisht pesë deri në gjashtë. Për përdorim më të mirë, këshillohet që serumi të shpërndahet në zonat ku dëshironi ta aplikoni, duke pasur kujdes që pipeta të mos e prekë fytyrën.
Mund të vendosni disa pika në ballë, hundë, mjekër dhe faqe, pastaj ta përhapni butësisht derisa të përthithet plotësisht. Serumin mund ta vendosni edhe në pëllëmbë dhe më pas ta shtypni lehtë mbi lëkurë.
Kremi për zonën rreth syve
Zona rreth syve është e vogël, por shumë e rëndësishme, sepse përdorimi i duhur i kremit mund të japë rezultate të mira në kujdesin kundër shenjave të plakjes.
Ky krem nuk vendoset vetëm poshtë syve, por edhe sipër tyre dhe anash, pranë këndit të jashtëm të syrit. Mjafton një sasi sa madhësia e një kokrre bizeleje.
Kremi është më mirë të aplikohet me gishtin e unazës, sepse ky gisht ushtron më pak presion në lëkurë sesa gishti tregues.
Kremi hidratues
Në përgjithësi, ekspertët vlerësojnë se një sasi sa madhësia e një monedhe është e mjaftueshme për hidratimin e plotë të fytyrës.
Megjithatë, rol të rëndësishëm luan edhe tipi i lëkurës, prandaj, varësisht nga nevojat e saj, sasia mund të rritet pak. Po ashtu, i rëndësishëm është edhe mënyra e aplikimit.
Prisni që lëkura të jetë plotësisht e thatë pas serumit dhe që ai të jetë përthithur mirë, në mënyrë që kremi hidratues të mos e “hollojë” efektin e tij. Më pas, aplikojeni kremin me lëvizje të buta rrethore në fytyrë, gjë që ndihmon qarkullimin dhe i jep lëkurës pamje më të freskët.
Kremi me faktor mbrojtës SPF
Pavarësisht stinës dhe temperaturës së jashtme, përdorimi i kremit me faktor mbrojtës është i domosdoshëm, sepse e mbron fytyrën nga rrezet e dëmshme UV.
Shumë njerëz nuk janë të sigurt sa SPF duhet të vendosin në fytyrë. Si udhëzim mund të shërbejë rregulli i dy gishtave: vendosni krem mbrojtës përgjatë gishtit tregues dhe gishtit të mesëm. Kjo sasi zakonisht është e mjaftueshme për fytyrën. Të njëjtën sasi aplikojeni edhe në qafë dhe dekolte.
Vaji për fytyrën
Ashtu si te serumi, edhe për vajin e fytyrës mjafton një sasi shumë e vogël që produkti të jetë efektiv. Dy deri në tri pika janë të mjaftueshme për gjithë fytyrën.
Dermatologët këshillojnë që vaji të përdoret kryesisht në mbrëmje, pas kremit hidratues, sepse në këtë mënyrë ndihmon në “mbylljen” e hidratimit që kremi i ka dhënë lëkurës. /Telegrafi/
