
Mohamed Salahu, i cili pritet të largohet nga Liverpooli këtë verë, do ta përdorë Kupën e Botës për të vendosur për të ardhmen e karrierës së tij në nivel klubesh.
Salah njoftoi largimin nga “Anfield” në mars, duke i dhënë fund një periudhe nëntëvjeçare në “Merseyside”, ku fitoi pothuajse çdo trofe të mundshëm me Liverpoolin.
Egjiptiani, i cili sezonin e kaluar ndihmoi ekipin të fitojë titullin në Premierligë, kishte rinovuar kontratën në vitin 2025 për dy vite, por arriti një marrëveshje për ndërprerje të ndërsjellë që e bën lojtar të lirë këtë verë.
Fituesi katër herë i “Golden Boot” u mendua se kishte luajtur ndeshjen e fundit me “The Reds” pas një dëmtimi në kofshë kundër Crystal Palacet, por tashmë është konfirmuar se do të luajë sërish këtë sezon.
Në garën për ta transferuar, Salahu është lidhur së fundmi me Fenerbahçe, që raportohet se i ofron rreth 20 milionë euro në vit.
Megjithatë, sipas “TEAMtalk”, Salah po konsideron një destinacion të ri gjatë Kupës së Botës në SHBA: Major League Soccer.
MLS është e interesuar ta sjellë yllin e Liverpoolit në ligën e tyre, me San Diego që shihet si destinacioni më i mundshëm.
Salahu, i cili do të jetë kapiten i Egjiptit në këtë turne veror, do ta përdorë kohën në SHBA për të vendosur për hapin e radhës në karrierë.
Burimet thonë se edhe familja e tij do të jetë e pranishme dhe do të shfrytëzojnë këtë periudhë për të parë mundësinë e jetesës në Amerikë, raporton “Sport Bible”.
Ndërkohë që Saudi Pro League mbetet një opsion shumë fitimprurës financiarisht për lojtarët e mëdhenj, MLS shihet gjithashtu si një alternativë tërheqëse për Salahun.
Tani, ai do të peshojë ofertat e ndryshme – nga qëndrimi në Evropë për të konkurruar në nivelin më të lartë, deri te përfitimet komerciale në SHBA apo Arabinë Saudite.
Më herët këtë javë, koordinatori i mediave të kombëtares egjiptiane, Muhammad Murad, deklaroi se Salahu mund të marrë një vendim dhe ta bëjë publik shumë shpejt.
San Diego është në pronësi të miliarderit egjiptiano-britanik Mohamed Mansour, i cili nuk e ka fshehur admirimin për Salahun.
“Ai është një nga lojtarët më të mëdhenj të sotëm. Çdo ekip apo vend që do ta ketë, patjetër do të përfitojë shumë prej tij,” është shprehur Mansour.
Për momentin, tifozët e Liverpoolit presin vendimin e tij, ndërsa Kupa e Botës pritet të luajë rol kyç në përcaktimin e destinacionit të ardhshëm./GazetaExpress/
The post Salahu po e konsideron transferimin te një ligë ‘shokuese’, që askush s’e kishte pritur appeared first on Gazeta Express.
