E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Sejko: Norma bazë e interesit mbetet e pandryshuar, inflacioni do të pësojë një rritje të lehtë

A 62 697x400

Guvenatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, bëri me dije se në mbledhjen e radhës së Këshillit Mbikëqyrës është vendosur që norma bazë e interesit të mos ndryshojë, duke mbetur në nivelin bazë 2.5%.

Ndëkrohë sa i përket inflacionit, Sejko tha se pritet të ketë një rritje të lehtë i ndikaur nga rritja e çmimit të energjisë dhe naftës në nivel global.

“Përditësimi i parashikimeve të skenarit bazë është bazuar në supozimin e një zgjidhjeje relativisht të shpejtë të konfliktit. Pozicioni i shëndoshë fillestar i ekonomisë shqiptare sugjeron se goditja e çmimeve do të sjellë një rritje të përkohshme të inflacionit mbi objektiv gjatë tremujorëve në vijim. Megjithatë, kjo rritje pritet të jetë e lehtë dhe kalimtare; me përfundimin e efektit direkt të goditjes dhe kontrollin e efekteve indirekte të saj, inflacioni pritet të zbresë gradualisht drejt objektivit në afatin e mesëm. Po ashtu, ekonomia shqiptare pritet të ruajë ritme pozitive rritjeje gjatë viteve në vijim, të përafërta me vlerësimet tona për potencialin e zgjerimit të aktivitetit ekonomik. Për momentin, rritja e pasigurisë dhe shtrenjtimi i faturës së importit të naftës pritet të kenë një ndikim negativ, por vetëm margjinal dhe kalimtar, në treguesin e rritjes ekonomike të vitit 2026,” tha Sejko ndër të tjera.

Ai shpjegoi se konflikti ushtarak dhe tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme mbeten një burim rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare.

“Ndikimi i tij në ekonomi dhe në inflacion do të varet dukshëm nga kohëzgjatja dhe intensiteti i konfliktit, duke e zhvendosur balancën e rreziqeve në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike në afatin e mesëm”, vijoi Guvernatori.

Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një nivel mesatar prej 2.5% në tremujorin e parë të vitit 2026, duke regjistruar një rritje të lehtë në krahasim me tremujorin paraardhës. Kjo ecuri u diktua nga rritja e çmimeve të qirave dhe të naftës, si dhe nga stabilizimi në nivel vjetor i çmimit të energjisë elektrike për familjet. Nga ana tjetër, çmimet e ushqimeve dhe të artikujve të tjerë të shportës patën një ecuri më të stabilizuar.

“Kahu i ecurisë së inflacionit në tremujorin e parë ishte në përputhje me pritjet tona dhe ky tregues vijon të mbetet ende nën objektiv. Megjithatë, rritja e shpejtë e çmimeve të naftës në tregjet botërore në muajin mars dha menjëherë ndikimin e saj në inflacionin e këtij muaji, duke ilustruar fillimin e transmetimit të saj në ekonominë shqiptare”, tha Sejko.

Ndërsa shpjegoi edhe ecurinë e inflacionit tre muajt e fundit:

“Në aspektin makroekonomik, ecuria e inflacionit gjatë tremujorëve të fundit është diktuar nga rritja e presioneve të brendshme dhe nga nivelet e ulëta të inflacionit të importuar. Megjithatë, duke përjashtuar inflacionin e lartë të qirave, i cili pritet të ketë natyrë kalimtare, presionet e brendshme mbeten në linjë me objektivin e stabilitetit të çmimeve. Nga ana tjetër, nivelet e ulëta të inflacionit të importuar janë diktuar, në një masë të konsiderueshme, nga forcimi i kursit të këmbimit. Megjithatë, rritja e çmimit të naftës dhe përcjellja e tij në artikujt e tjerë, pritet të shoqërohet me rritje të inflacionit të importuar gjatë tremujorëve në vijim”.

Megjithatë Sejko tha se rritja relativisht e shpejtë e pagave nuk është transmetuar në rritje të çmimeve të konsumit, si pasojë e absorbimit të saj pjesërisht nga rritja e produktivitetit dhe nga rënia e marzhit të fitimit të bizneseve për njësi.

InfoShqip