E premte, 08 Maj 2026
Lajme

Sekreti për tost më krokant

Gezuar

Tosti është një nga ushqimet më të dashura të mëngjesit, qoftë me gjalpë, reçel, fasule apo djathë. Megjithatë, sipas një eksperti ushqimi, shumë njerëz mund të jenë duke e konsumuar gabim, pasi mënyra se si e vendosin bukën pas pjekjes ndikon drejtpërdrejt te krokantësia e saj.

Homam Ayaso, drejtues i Tasty UK, thotë se për të shmangur zbutjen e bukës pas thekjes, tosti duhet vendosur në këmbë për pak kohë, në mënyrë që “të marrë ajër”.

Sipas tij, kur feta e tostuar vendoset shtrirë në pjatë, avulli bllokohet poshtë saj dhe e bën bukën më të butë e më të lagësht. Ndërsa kur vendoset në këmbë, ajri qarkullon në të dyja anët dhe ndihmon që krokantësia të ruhet më gjatë.

Megjithatë, eksperti thekson se jo çdo lloj buke sillet njësoj. Buka e bardhë ka më shumë nevojë për këtë metodë, pasi mban më shumë lagështi dhe zbutet më shpejt. Ndërsa buka me brumë të thartë, si sourdough, është më e dendur dhe ruan më mirë strukturën, ndaj nuk ka domosdoshmërisht nevojë të vendoset në këmbë.

Ayaso paralajmëron gjithashtu se kjo metodë ka kuptim vetëm nëse nuk do ta konsumoni tostin menjëherë. Nëse doni ta hani sapo del nga tosteri, këshilla e tij është e thjeshtë: lyeni me gjalpë sa është ende i nxehtë.

Interesi për tostin lidhet ngushtë edhe me dashurinë e britanikëve për gjalpin. Vetëm në vitin 2024, në Britani u konsumuan 233 mijë tonë gjalpë, ndërsa shitjet e pakove klasike u rritën me gjashtë për qind.

Por sot, gjalpi nuk është më vetëm i kripur apo pa kripë. Gjalpi me shije të ndryshme është kthyer në një trend mes kuzhinierëve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale. Në supermarkete mund të gjenden variante me hudhër dhe erëza, paprika të tymosur, çokollatë, kanellë apo edhe kafe.

Në Waitrose, shitjet e gjalpit me shije janë rritur me 39 për qind gjatë 12 javëve të fundit. Konsumatorët po e përdorin jo vetëm mbi bukë, por edhe me biftekë, petulla dhe ëmbëlsira, duke e kthyer gjalpin në një lloj simboli kulinar në TikTok.

Kuzhinieri Thomas Straker, i njohur për përmbajtjet e tij rreth gjalpit dhe me miliona ndjekës në rrjetet sociale, ka bashkëthemeluar edhe një biznes të specializuar për këtë produkt. Kompania e tij shiti mbi 100 mijë pako në 10 javët e para dhe tashmë gjendet në të gjithë Britaninë.

Sipas Toby Hopkinson, bashkëthemelues dhe drejtues i kompanisë, tërheqja ndaj gjalpit lidhet me thjeshtësinë, nostalgjinë dhe cilësinë e produkteve të bulmetit. Ai thotë se gjalpi është një përbërës i përditshëm, por njëkohësisht mund të ndihet edhe luksoz.

Fiksimi modern pas gjalpit ka shkuar aq larg sa një klub i ri privat në Londër, The Pembroke, ka kërkuar një “somelier gjalpi”, i cili do të kujdeset për përzgjedhjen dhe kombinimin e gjalpërave cilësorë në menu.

Ndërkohë, çmimet e gjalpit vazhdojnë të rriten për shkak të uljes së prodhimit të qumështit dhe kostove më të larta të prodhimit. Gjalpi i zakonshëm kushton mesatarisht nga 74 peni deri në 1.16 paund për 100 gramë, ndërsa variantet me shije mund të jenë disa herë më të shtrenjta, duke arritur deri në 11.11 paund për 100 gramë. /GazetaExpress/

The post Sekreti për tost më krokant appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip