Pentagoni publikoi sot grupin e parë të dosjeve të klasifikuara më parë mbi raportimet për objekte fluturuese të paidentifikuara, të njohura si UFO.
Dokumentet përfshijnë raste që datojnë që nga vitet 1940 dhe publikimi i tyre është kërkuar prej dekadash nga studiues dhe qytetarë amerikanë.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se këto dosje të mbajtura të fshehta për shumë vite kanë ushqyer spekulime të shumta dhe se ka ardhur koha që publiku amerikan të ketë akses në to.
Mbi 160 dokumente u publikuan në faqen zyrtare të Departamentit amerikan të Mbrojtjes.
Pentagoni i referohet zyrtarisht UFO-ve si “Fenomenet Anomale të Paidentifikuara” (UAP).
Një prej dokumenteve të publikuara, që daton në dhjetor 1947, përmban raportime mbi “disqe fluturuese”, ndërsa një raport sekret i Forcave Ajrore nga viti 1948 përshkruan shfaqje të “aeroplanëve të paidentifikuar” dhe “pjatave fluturuese”.
Një tjetër dosje dokumenton një incident të vitit 2023, ku tre ekipe të agjentëve federalë raportuan se panë në qiell sfera portokalli që lëshonin ose nxirrnin sfera më të vogla me ngjyrë të kuqe.
Rasti ka ngjallur interes të madh në opinionin publik dhe në qarqet që studiojnë fenomenet ajrore të pazakonta.
Presidenti amerikan Donald Trump kishte urdhëruar në shkurt agjencitë federale të fillonin identifikimin dhe publikimin e dokumenteve qeveritare që lidhen me UFO-t dhe jetën jashtëtokësore.
Trump deklaroi se vendimi erdhi për shkak të interesit të madh të publikut për këtë çështje.
Megjithatë, Pentagoni kishte deklaruar edhe më parë se nuk ekzistojnë prova që këto fenomene lidhen me teknologji jashtëtokësore.
Në një raport të publikuar në mars 2024, shumë nga rastet e dyshimta u shpjeguan si balona meteorologjike, avionë spiunë, satelitë apo aktivitete të tjera normale ajrore.
