SHBA-ja dhe partnerët e saj kanë larguar të gjithë uraniumin shumë të pasuruar të mbetur nga një reaktor kërkimor i vjetër në Venezuelë, njoftoi Administrata Kombëtare për Sigurinë Bërthamore (NNSA) e Departamentit amerikan të Energjisë.
“Heqja e sigurt e të gjithë uraniumit të pasuruar nga Venezuela dërgon një tjetër sinjal për botën për një Venezuelë të rikthyer dhe të rinovuar”, tha administratori i NNSA-së, Brandon Williams.
Operacioni përfshiu largimin e 13.5 kilogramëve uranium nga reaktori RV-1 në Karakas, i cili më parë ishte përdorur për kërkime në fizikë dhe energji bërthamore.
Materiali, i pasuruar mbi pragun 20 për qind që përcakton uraniumin shumë të pasuruar, ishte bërë i tepërt pas përfundimit të aktiviteteve kërkimore të reaktorit në vitin 1991, thuhet më tej.
Sipas NNSA-së, përgatitjet për vlerësimin e objektit përfshinë personel nga Departamenti amerikan i Shtetit, ekspertë nga Britania e Madhe, Ministria venezueliane e Shkencës dhe Teknologjisë dhe Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).
IAEA konfirmoi në një deklaratë se uraniumi ishte “transportuar në mënyrë të sigurt dhe të mbrojtur me rrugë tokësore dhe detare nga Amerika e Jugut në Amerikën e Veriut” pas asaj që e përshkroi si “një operacion kompleks dhe të ndjeshëm”.
Sipas IAEA-s, uraniumi, “në formën e karburantit bërthamor të pasuruar pak mbi 20 për qind të izotopit të zbërthyeshëm uranium-235”, u transferua nga një reaktor kërkimor jashtë funksionit në Institutin Venezuelian për Kërkime Shkencore (IVIC), rreth 15 kilometra në jugperëndim të Karakasit, drejt objektit Savannah River të Departamentit amerikan të Energjisë në Karolinën e Jugut.
