
Pak orë pasi Irani bombardoi disa vende të Gjirit Persik sot me raketa dhe dronë, duke kthyer në shënjestër kryesisht rafineritë e naftës, ka ardhur edhe përgjigja amerikane.
Armëpushimi i brishtë midis SHBA-së dhe Iranit që ka zgjatur për gati një muaj po vihet në provë pasi të dyja palët qëlluan në Ngushticën e Hormuzit.
Ushtria amerikane njoftoi se “shkatërroi” gjashtë anije iraniane të hënën pasi Teherani lëshoi ”raketa të shumta lundrimi, dronë dhe anije të vogla” drejt anijeve të Marinës Amerikane dhe anijeve tregtare, tha Komanda Qendrore e SHBA-së, informon CNN.
Shefi i Komandës së Marinës konfirmoi lajmin, duke thënë se sulmi u bë me helikopterë “Apash” ndaj 6 anijeve të vogla të Iranit në Ngushticë.
Gjithsesi raportimet mbeten ende kontradiktore. Më parë, anijet me flamur amerikan kaluan me sukses nëpër ngushticë, tha ushtria, por Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit e hodhi poshtë deklaratën si “të pabazë”, sipas mediave shtetërore.
Irani kishte bombarduar sot cisterna dhe rafineri në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe në Oman, teksa sirenat e alarmit ranë edhe në Arabinë Saudite dhe Bahrein.
Çmimet e naftës u rritën dhe aksionet ranë për shkak të shqetësimeve të reja në lidhje me sigurinë e kalimit nëpër këtë rrugë ujore, pasi Presidenti Donald Trump tha se forcat amerikane do të ndihmonin në udhëzimin e anijeve të bllokuara. Çmimet e benzinës në SHBA mund të arrijnë në 5 dollarë për galon nëse ngushtica mbetet e mbyllur, thotë një ekspert i tregut të naftës.
