E diel, 03 Maj 2026
Lajme

Shënojnë Daku dhe Hoxha/ Sulmuesi i Kombëtares i jep fitore ekipit të tij Rubin në Rusi

Iu desh kohë, por ia doli. Mirlind Daku më në fund shënoi gol këtë sezon, madje tepër të rëndësishëm duke I dhënë fitoren 1-0 ekipit të tij, Rubin, në ndeshjen e radhës së Premier Ligës së Rusisë kundër Baltikës.

Sulmuesi kuqezi kishte 11 ndeshje pa gjetur rrugën e rrjetës, edhe për shkak dëmtimi, edhe për shkak të mungesës së fatit.

Tashmë, ai ka 10 gola dhe një asist në kampionatin rus, duke qenë më I miri I ekipit të tij dhe Rubini është në vendin e shtatë në renditje, jo larg vendit të pestë që e mban pikërisht Baltika.

Gol I rëndësishëm edhe nga ylli tjetër kuqezi, Arbër Hoxha.

Lojtari ofensiv I kombëtares shënoi për Dinamon e Zagrebit në ndeshjen e luajtur në fushën e Goricës, fituar me rezultatin 2-1.

Hoxha zhbllokoi rezultatin për 1-0 që në minutën e pestë dhe ishte në fushë për 68 minuta e pastaj u zëvendësua.

Ai ka 7 gola dhe 7 asistë në Ligën e Parë të Kroacisë këtë sezon, duke qenë ndër më të mirët për Dinamon, dhe në total ka edhe dy asistë në Ligën e Europës.

Shqiptari po shkon drejt sërish për titullin kampion, që do të ishte I dyti me fanelën e bluve, duke qenë 18 pikë përpara Hajdukut që nuk e ka luajtur ende ndeshjen e javës së 33-të.

InfoShqip