TIRANË– Shqipëria dhe Greqia do të lidhin një marrëveshje të re partneriteti strategjik brenda vitit.
Kryeministri Edi Rama u prit të mërkurën në Athinë nga homologu Mitsotakis në një vizitë zyrtare shumë të rëndësishme pas disa vitesh.
Të dy kryeministrat konfirmuan angazhimin për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri, duke zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura. Homologët, Rama dhe Mitsotakis, thanë se debatet janë lënë pas dhe tani prioritet mbetet mbështetja për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Avokati i njohur Edmond Petraj, i ftuar në “Ora e Fundit” e cilësoi pozitive marrëdhënien e re, mes Athinës dhe Tiranës zyrtare. Ai theksoi se Greqia duhej të tregohej më e zgjuar, sa i takon ruajtjes së marrëdhënieve ndërshtetërore dhe të linte mënjanë propagandën e disa grupeve nacionaliste.
“E shikoj pozitive këtë marrëdhënie te re që ka Greqia me Shqipërinë. E vlerëson. Në tërësi situata me ta është shumë pozitive, Greqia duhet të ishte treguar pak më e zgjuar në marrëdhënie me Shqipërinë. Ajo ka rënë pre e nacionalizmit këtej dhe andej kufirit.
Politika greke ka rënë pre e grupeve nacionaliste, të cilët kanë minuar marrëdhëniet e mira dhe të fqinjësisë së mirë”, tha ai.
Gjatë diskutimit në studio, avokati pohoi se shtetit fqinj nuk i vjen asnjë e keqe nga shqiptarët.
“Greqisë nuk i vjen e keqja nga ne. Në tërësi marrëdhënie jonë është e mirë, sepse në fund të fundit, duam apo nuk duam, Greqia ka qenë një shtet që na i ka hapur dyert ne”, tha ai./abcnews.al

