Muzeu etnografik i Gjirokastrës konsiderohet një nga më të veçantët jo vetëm në qytetin e gurtë, por në mbarë vendin. Godina ku ndodhet sot ky muze, vite më parë është shkrumbuar totalisht nga një zjarr aksidental, ndërsa ajo do të rindërtohej sërish në vitin 1966.
Në brendësi të këtij muzeu, prezantohet trashëgimia kulturore në formën materiale dhe shpirtërore, si dhe stilin e jetesës së familjeve autoktone gjirokastrite.
Iris Shane, koordinatore pranë këtij muzeu me vlera të rralla, na tregon se trashëgimia kulturore pasqyrohet në të gjitha dimensionet, duke filluar nga diversiteti kulturor e deri tek simbolikat fetare, ritet e dasmës gjirokastrite, vallet tradicionale dhe arkitektura.
Muzeu etnografik është një nga më të vizituarit në Gjirokastër. Por cilat janë mbresat e turistëve të huaj të cilët njihen me këtë pasuri të trashëgimisë sonë kulturore ?
Audio, guida, odat karakteristike, kuzhina me orendi tradicionale, këndi I valles e sidomos ai I kostumeve karakteristik popullor të të gjitha zonave etnografike të Gjirokastrës, I japin edhe më tepër hijeshi e vlerë këtij muzeu, që para viteve ’90 funksiononte si muze I luftës antifashiste nacionalçlirimtare.
Godina ku ndodhet sot ky muze është shtëpia ku ka lindur ish diktatori komunist Enver Hoxha, e madje në një prej ambienteve të këtij muzeu shfaqen dhe materiale filmike, mbi vizitat e pakta që Hoxha ka kryer në qytetin e tij të lindjes, ndërsa sinjalistika na shpjegon dhe dhomën ku ka lindur Enver Hoxha. Pikërisht ky fakt ka tërhequr jo pak vëmendjen dhe kureshtjen e të huajve, të cilët janë në dijeni se kjo banesë dikur I përkiste ish liderit komunist.
Ky muze, nga viti në vit, regjistron shtim të numrit të vizitorëve të cilët janë kryesisht nga vendet e Europës, ndërsa nuk mungojnë edhe shqiptarët e Kosovës.
Muzeu Etnografik është nën administrimin e Drejtorisë së trashëgimisë Kulturore të Gjirokastrës. Ai ndodhet në lagjen Palorto, shumë pranë me qendrën historike.
Banesa mahnitëse i përket stilit otoman të shekullit 19. Imazhi dhe informacioni kontekstual në brendësi të muzeut, përmirësojnë shfaqjet, traditën dhe zakonet, ndërsa konsiderohet si nga objektet më të vizituara në qytetin e gurtë.
