Sipas raportimit të Diario AS, situata mes Aurelien Tchouameni dhe Federico Valverde ka degraduar nga një debat verbal në një përplasje serioze fizike në qendrën stërvitore të Real Madridit në Valdebebas.
Raporti thekson se bashkëlojtarët janë detyruar të ndërhyjnë për të ndalur konfliktin, ndërsa më pas është mbajtur edhe një mbledhje emergjente në dhomat e zhveshjes.
Sipas të njëjtit burim, Valverde ka pësuar një dëmtim në kokë pas incidentit dhe ka marrë trajtim mjekësor.
“AS” pretendon se gjatë përplasjes, Tchouameni e ka goditur fort Valverden, i cili më pas është rrëzuar, duke goditur kokën dhe duke shkaktuar gjakderdhje.
Menjëherë është aktivizuar protokolli mjekësor dhe mesfushori uruguaian është dërguar në klinikën Blua Sanitas Valdebebas për trajtim të specializuar.
Raportohet gjithashtu se Valverde fillimisht është transportuar me karrocë në infermierinë e klubit, ndërsa më pas është dërguar në spital për qepje.
Ky incident ka krijuar një situatë të tensionuar brenda kampit madrilen, duke ngritur pikëpyetje serioze për atmosferën në dhomat e zhveshjes së Real Madridit në një moment delikat për klubin.
Deri tani, klubi nuk ka reaguar zyrtarisht lidhur me raportimet. /Telegrafi/
